Inaugurohet Zyra Regjionale e AUV-it, Peci: Mbetemi të përkushtuar t’i arrijmë objektivat e KE-së

Inaugurohet Zyra Regjionale e AUV-it, Peci: Mbetemi të përkushtuar t’i arrijmë objektivat e KE-së

Aktuale December 16, 2024 - 13:23

Është bërë inaugurimi i Zyrës Regjionale të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) në Komunën e Prishtinës.

Më këtë rast, ministri i Bujqësisë Faton Peci ka thënë se këto zyra do t’i mundësojnë stafit punë efikase, duke mundësuar monitorim e operatorëve ekonomikë, kryerjen e inspektimeve veterinare dhe fitosanitare, si dhe zbatimin e rregullave për sigurinë ushqimore në vend.

Ai ka thënë se Ministria është në proces të ndërtimit edhe të objektit të MBPZHR-së me buxhetin e shtetit në vlerën e 9 milionë eurove, ku sipas tij, me objektin e ri, si dhe zyrat regjionale do të jetë përmbyllje e cilik infrastrukturor për të krijuar kushte të përshtatshme të Ministrisë.

“Sot jo vetëm që po e përurojmë zyrën në Prishtinë, por po e theksojmë mbështetjen që BE-ja ka krijuar në katër zyrat tjera rajonale duke krijuar kushte dhe rrjet të përshtatem për punë dinjitoze dhe profesionale. Këto zyre do t’i mundësojnë stafit tonë punë efikase duke mundësuar monitorim e operatoreve ekonomik, kryerje e inspektimeve veterinare dhe fitosanitare, si dhe zbatimin e rregullave për sigurinë ushqimore në vend. Pas hartimit të projektit ideor ne si ministri tash jemi në proces të ndërtimit edhe të objektit të MBPZHR-së, e cila do të ndërtohet me mjete vetanake të buxhetit të Kosovës dhe sot jemi në fazën kur e kemi të hapur procedurën e ndërtimit dhe kemi vënë në pozicion 9 milionë euro. Ky angazhim i këtij mandati me zyrat rajonale me fondet e BE, por edhe fondet vetanake në ndërtimin e objektit të ri të MBPZHR-së, që do të jetë ndërtesa shembull në nivel të Republikës do të jetë përmbyllje e cilik infrastrukturor për të krijuar kushte të përshtatshme të ministrisë. Ministria mbetet e përkushtuar për të arritur objektivat e caktuara të kapitullit 12 të Komisionit Evropian, lidhur me sigurinë ushqimore, politiken veterinare dhe fitosanitare”, tha ministri Peci.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se ka synim të krijojë një sistem që krijon siguri dhe mirëqenie të konsumatorëve, si dhe të institucioneve.

“Ky projekt ka për synim që të krijojë një sistem që krijon siguri dhe mirëqenie të konsumatorëve si dhe të institucioneve. Duke garantuar sigurinë e ushqimit Kosova po ndërmerren hapa të rëndësishëm drejt harmonizimit të Rregullores së BE-së dhe përmirësimit të jetesës për të gjithë qytetarët. Këto objekte do t’i ndihmojnë Kosovës në aspektin bujqësor që të sigurojë harmonizimin me standardet evropiane dhe standardet e sigurisë ushqimore”, tha Oravi. /EO