Dy policët e lënduar nga aksidenti në veri pritet të lirohen nga spitali, tjetri do t’i nënshtrohet operimit
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se dy nga tre policët e lënduar në veri të Kosovës pritet të lirohen në shtëpi, pas trajtimit mjekësor që kanë marrë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Ndërkaq sipas SHSKUK-së, njëri prej tyre pritet të operohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale.
“Polici që është operuar si rast urgjent në kërcin e gjurit, në Klinikën e Ortopedisë, ka gjendje stabile shëndetësore dhe është në përkujdesje të stafit shëndetësor të kësaj klinike, pritet të lirohet gjatë ditës së nesërme”, thuhet në njoftim.
SHSKUK-ja shton se i njëjti ka marrë gjithë kujdesin e nevojshëm, kurse Klinika e Ortopedisë, për punën profesionale ka pranuar falënderim nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e Policisë e Kosovës, të cilët kanë përcjell edhe falënderimet e familjes së tij.
“Ndërsa rasti tjetër që është trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, pas trajtimit, pritet që gjatë ditës të lirohet në shtëpi, në gjendje stabile shëndetësore.
Trajtimin shëndetësor do të vazhdojë njëri nga të lënduarit që po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, i cili aktualisht ka gjendje stabile shëndetësore dhe pritet që t’i nënshtrohet një operacioni”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se një autoblindë e Policisë së Kosovës ishte përfshirë në një aksident të premten mbrëma në Grabovc të Zveçanit, duke rezultuar me lëndime për disa zyrtarë policorë.
Ngjarja ka ndodhur kur autoblinda, që transportonte tetë zyrtarë policorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë nga rruga.