Akuzat e reja, Thaçi e Smakaj brenda 30 ditëve duhet të deklarohen rreth fajësisë

Akuzat e reja, Thaçi e Smakaj brenda 30 ditëve duhet të deklarohen rreth fajësisë

Aktuale December 15, 2024 - 21:41

Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakaj kanë kohë edhe 3 javë për tu deklaruar nëse e pranojnë fajësinë ose jo për akuzat që së fundmi u konfirmuan për pengim të drejtësisë. Megjithatë këta të dy, këtë mund ta bëjnë edhe të martën, kur pritet të mbahet një seancë, ku do të diskutohet për hapat drejt gjykimit për këtë rast.

Javën e ardhshme Hashim Thaqi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu e Hajredin Kuçi sërish do të dalin në gjykatore të Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë, për akuzat për pengim të drejtësisë,

Gjyqtarja e procedurës paraprake, ka caktuar që këtë të martë, të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes, ku do të diskutohet për organizimin e shkëmbimeve midis palëve për të mundësuar përgatitje të shpejtë për gjykim.

Në këtë seancë, ish presidenti Hashim Thaçi, e ish shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj e kanë mundësisë të deklarohen rreth pranimit ose jo të fajësisë.

“Sa i përket pranimit ose jo të fajësisë në lidhje me akuzat të pandehurit ka të drejtë ta bëjë këtë gjë në afat prej 30 ditësh nga momenti i paraqitjes për herë të parë në Gjykatë”, ka theksuar për RTV Dukagjinin, Ardian Bajraktari – avokat.

Në seancat e paraqitjes së parë, Hajredin Kuçi, Fadil Fazliu e Isni Kilaj nuk kanë pranuar fajësinë, duke mohuar akuzat e zyrës së prokurorit të specializuar.

Përveç Kuçit, që është në liri e Thaçit, që ndodhet në paraburgim që nga 2020, të tre të tjerëve Gjykata iu caktoi masën e paraburgimit pas arrestimit, ndonëse të njëjtit kërkuan lirim me kusht.

“Tani ne nuk kemi shumë detaje në arsyetim, në provat në arsyetimet në propozimet e prokurorisë, dhe sigurisht që Gjykata i ka shqyrtuar një ka një dhe ka marr një vendim bazuar në kushtet dhe ligjit ashtu sa ka mundësi dhe ka ofruar masat adekuate”, ka theksuar Amer Aliaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Gjykata Speciale së fundmi ka konfirmuar aktakuzën e re, Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë, duke ndikuar e zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, që ishin pjesë e rastit ku ish krerët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte.