Reagon Spitali Amerikan: Akuzat e Prokurorisë janë absurde

Reagon Spitali Amerikan: Akuzat e Prokurorisë janë absurde

Aktuale December 15, 2024 - 16:48

Spitali Amerikan ka bërë një deklaratë publike duke thënë se akuzat e bëra nga Prokuroria ndaj këtij institucioni shëndetësor janë absurde.

Në reagimin e Spitalit Amerikan thuhet se avokati nuk ka pranuar zyrtarisht ndonjë aktakuzë, ndërsa rrjedhjen e saj paraprakisht e konsideron shkelje të konfidencialitetit që minon parimet themelore të procesit të rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë, të cilat janë gurëthemelet e shtetit të së drejtës.

Reagimi i plotë i Spitalit Amerikan:

Deklaratë Publike

Spitali Amerikan në Kosovë është thellësisht i shqetësuar për rrjedhjen e fundit të paautorizuar të aktakuzës, në të cilën institucioni ynë përmendet në cilësinë e palës së dyshuar. Në këtë moment, as ne dhe as avokati ynë nuk e kemi pranuar zyrtarisht aktakuzën. Kjo shkelje e konfidencialitetit minon parimet themelore të procesit të rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë, të cilat janë gurëthemelet e shtetit të së drejtës.

Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për nevojën e Prokurorisë Speciale për publicitet në këtë rast, pasi Prokuroria ka nxjerrë një njoftim publik lidhur me aktakuzën, para përmbushjes së detyrimit të saj për t’ia dorëzuar aktakuzën Spitalit Amerikan apo avokatit të tij. Detyra e Prokurorisë është të ofrojë fakte dhe jo të krijojë perceptim publik për fajësinë e të pandehurve apo të promovojë punën e saj publikisht, në barrë të palëve që i heton.

Zbulimi i parakohshëm i një informacioni kaq të ndjeshëm ndaj publikut, jo vetëm që komprometon të drejtën për një proces të drejtë, por gjithashtu ngre çështje serioze në lidhje me integritetin e procesit gjyqësor. Autoritetet duhet të fillojnë hetime për shkelje ligjore për shkak të rrjedhjes së aktakuzës në publik dhe të sigurojnë që përgjegjësit të mbahen përgjegjës për shkeljen e konfidencialitetit dhe detyrave zyrtare. Prandaj, presim që organet përgjegjëse të iniciojnë hetimet lidhur me këtë rast.

Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve, përfshirë mediat dhe publikun, që t’i qasen kësaj çështjeje me kujdes dhe të përmbahen nga nxjerrja e përfundimeve bazuar në informacione jo të plota, selektive ose jozyrtare. Spekulimet publike dhe konkluzionet e pabazuara nuk i ndihmojnë informimit të drejtë lidhur me këtë aktakuzë. Prandaj, çdo spekulim apo konkluzion, pa vërtetimin e fakteve nga Gjykata, mund të ketë vetëm motiv keqdashës.

Spitali Amerikan është plotësisht i përkushtuar për adresimin e pretendimeve përmes kanaleve të duhura ligjore dhe ka besim në aftësinë e gjykatës për të zbardhur faktet dhe për trajtimin e drejtë dhe profesional të çështjes. I bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse të sigurojnë respektimin e konfidencialitetit dhe të mos ndikohen nga spekulimet publike të padrejta. Ndërsa, lidhur me akuzat, do të deklarohet avokati ynë, pas pranimit të aktakuzës.

Spitali Amerikan është investitor i huaj në Kosovë me aksionar SEEF2/SEAF (Southeast Europe Equity Fund) dhe me partnerë institucionalë amerikanë dhe evropianë. Të gjitha vendimet e tij janë marrë në mënyrë kolektive, transparente dhe janë të mbuluara nga Bordi si dhe nga aksionari amerikan. Prandaj, akuzat e bëra nga Prokuroria dhe që janë bërë publike janë absurde. Spitali Amerikan rezervon të drejtën që të mbajë përgjegjëse autoritetet shtetërore të Kosovës dhe zyrtarët e saj për dëmtimin e reputacionit të tij.

Spitali Amerikan ka punësuar mbi 600 profesionistë shëndetësorë në Kosovë. Me investimin dhe punën e saj të palodhshme, Spitali Amerikan i ka kontribuar ndjeshëm arritjeve të shëndetësisë në Kosovë si dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë, duke i mundësuar qytetarëve të Kosovës shërbime cilësore pa pasur nevojë që ata t’i kërkojnë këto shërbime jashtë shtetit. Spitali Amerikan do të vazhdojë përkushtimin e tij profesional, ndërsa lidhur me akuzat do të vendosë gjykata, pas vlerësimit të drejtë të fakteve.

Spitali Amerikan.