Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE që dy vjet i bllokuar, Hoxhaj: Me qeverinë Kurti vetëm humbje e sanksione
Foto: Laura Hasani

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE që dy vjet i bllokuar, Hoxhaj: Me qeverinë Kurti vetëm humbje e sanksione

Aktuale December 15, 2024 - 10:25

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, ka akuzuar qeverinë Kurti për dështimet e saj në politikën e jashtme, duke theksuar se Kosova po përjeton një regres të dukshëm në arenën ndërkombëtare.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Hoxhaj shkroi: “Kosova, çdo vit shënonte fitore historike në pozitën e saj ndërkombëtare. Ndërsa sot, nën udhëheqjen e qeverisë Kurti, përballemi me sanksione e humbje.”

Deklarata e tij u bë në ditën kur shënohet dyvjetori i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një proces që ka mbetur i bllokuar dhe pa progres konkret.

Ai e ka shoqëruar këtë kritikë me një video, ku paraqiten arritjet historike të qeverive të mëparshme, derisa ai ishte vet pjesë e qeverisë dhe pjesë e këtyre arritjeve, duke përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe marrëveshjen me BE-në për qasje në programet e saj.

Dyvjetori i aplikimit për anëtarësim në BE rikthen vëmendjen te mungesa e progresit në këtë drejtim, ndërkohë që Kosova është përballur edhe me sanksione dhe presione nga partnerët ndërkombëtarë për shkak të politikave të qeverisë aktuale.