Avokati i Popullit do të kërkojë monitorimin e procesit gjyqësor në Hagë vitin e ardhshëm
Foto: Laura Hasani

Avokati i Popullit do të kërkojë monitorimin e procesit gjyqësor në Hagë vitin e ardhshëm

Aktuale December 14, 2024 - 08:55

Shqetësuese i ka cilësuar Avokati i Popullit, Naim Qelaj, arrestimin e ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, ish-kreut të AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-luftëtarin e UÇK-së, Fadil Fazliun dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçin.

Arrestimet u bënë më 5 dhjetor, ku pati dhe bastisje nga Gjykata Speciale.

E gjithë këtë situatë, avokati Qelaj tha se e kanë përcjell me shqetësim, duke marrë parasysh se personat e arrestuar kanë qenë bartës të shumë proceseve e institucioneve të rëndësishme në Kosovë.

“Ne i kemi përcjell me shqetësim krejt zhvillimet që kanë ndodhur në Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë. Natyrisht veprimet e fundit kanë qenë shqetësuese nga se kanë të bëjnë me persona që janë edhe personalitete publike me rëndësi, me peshë në Kosovë, si profesor universitar, pastaj edhe bartës të shumë proceseve e institucioneve të rëndësishme në Kosovë”, ka thënë ai.

Qelaj ka thënë se edhe më shqetësues mbetet fakti se si është duke u vepruar me ekipet mbrojtëse në rastin Thaçi dhe të tjerët që akuzohen për krime lufte, ku javë më parë nëpërmjet një shkrese të ekipeve mbrojtëse është dhënë alarmi se gjyqtarët po tregohen të anshëm.

Bazuar në këtë shkresë, thuhet se trupi gjykues ia ka mbajtur anën Prokurorisë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe me këtë rast Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë humbur besimin në paanshmërinë e gjyqtarëve të Speciales. Këtë e kanë shprehur në një letër 12-faqëshe, avokatët e katër të akuzuarve për krime lufte.

Për këtë, Qelaj ka bërë thirrje që institucionet kosovare të drejtësisë të kenë vëmendjen ndaj kësaj situate se mos është duke u cenuar e drejta në mbrojtje.

“Por ajo që për ne ka qenë me shqetësuesja është fakti që po veprohet në raport me ekipet mbrojtëse dhe Gjykata, Prokuroria dhe gjithë institucionet duhet me pas vëmendjen e tyre se mos është duke u cenuar e drejta në mbrojtje sepse kjo besoj pastaj komprometon në tërësi procesin gjyqësor dhe e bënë që të cenoj barazinë e ‘armeve’ në mesë të palëve në procedurë penale që është një prej parimeve kryesore të një gjykimi të drejtë dhe të pa anshëm. Për të mos folur pastaj për kohëzgjatjen e këtij procesi dhe për shumë aspekte të tjera që janë të rëndësishme”, ka thënë ai.

Avokati i Popullit ka thënë se kanë mandat të kufizuar me Dhomat e Specializuara në Hagë, duke nënvizuar mungesën e qasjes së drejtpërdrejt dhe bashkëpunimin me këtë Gjykatë. Ai tha se si institucion kanë planifikuar që qysh në fillim të vitit të ardhshëm të marrin hapa për monitorimin e disa seancave gjyqësore.

“Por ajo që është kryesorja ne kemi mandat të kufizuar në raport me këtë Gjykatë, kështu që informacionet që i sigurojmë janë burime çfarë i kanë edhe mediat, çfarë i kanë edhe autoritet e tjera dhe kjo është një handikap shumë i madh për ne. Në fillim të mandati tim kam pasur disa takime me kryetarët e Gjykatës, unë i kam vizituar të burgosurit në atë kohë, kam kontaktuar me ta dhe i kam ngritur shqetësimet e mia në raportin vjetor të institucionit të Avokatit të Popullit. Këto shqetësime kanë qenë kryesisht mbi bazën e deklaratave dhe informatave që unë kam arritur që t’i siguroj edhe në takim me kryetarin e Gjykatës dhe stafin e saj dhe të burgosurit. Por, që prej atij momenti deri sot nuk është që ka një komunikim, një aktivitet çfarë do natyre e cila do të konsiderohej si bashkëpunim. Ne monitorojmë, mbikëqyrim procesin për aq sa na lejojnë mundësitë teknike përmes mjeteve të informimit, nuk kemi një kanal të komunikimit zyrtar. Megjithatë, unë besoj që vitin e ardhshëm, qysh në fillim të vitit do të planifikojmë që ndoshta të kemi një monitorim të procesit gjyqësor së paku të disa seancave që të mund të kuptojmë se çfarë në realitet po ndodh në këtë Gjykatë”, tha ai.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, në aktakuzën e re ndaj ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ndaj Kuçit, Smakajt, Kilajt dhe Fazliut, i akuzon për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Në aktakuzë përshkruhen takimet që Thaçi ka zhvilluar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.

Zyra e Prokurorit të Specializuar po ashtu pretendon se gjatë bastisjeve që ka kryer në Kosovë, disa të akuzuarve u ka gjetur dëshmi, sikurse janë lista me emra dëshmitarësh apo edhe udhëzimet se si ata duhej të dëshmonin.