Post sulmit terrorist, “Ibër-Lepenci” kujtohet se pronat afër kanalit janë të uzurpuara
Foto: Laura Hasani

Post sulmit terrorist, “Ibër-Lepenci” kujtohet se pronat afër kanalit janë të uzurpuara

Aktuale December 13, 2024 - 23:25

Ndërmarrja “Ibër Lepenci” po pretendon që disa prona në afërsi të kanalit që u godit nga një sulm terrorist, janë të uzurpuara dhe u takojnë atyre.

Ata kanë kërkuar nga Policia që pronat të kthehen tek pronari, ndërkohë organet e sigurisë janë duke punuar në këtë drejtim.

Katër ditë pas sulmit terrorist në kanalin e “Ibër Lepencit”, zyrtarëve të kësaj ndërmarrje publike iu ka rënë ndër mend një çështje me rëndësi.

Pronat rreth këtij kanali, sipas tyre janë të uzurpuara, prandaj edhe me 4 dhjetor kanë denoncuar në Polici këtë, duke kërkuar që të lirohen pronat e tyre.

Kështu, ky institucion bashkë me Prokurorinë janë duke e shqyrtuar kërkesën që t’ua kthejnë pronat në Varagë të Zubin Potokut ndërmarrjes hidroekonomike “Ibër Lepenci”.

Në parcelat e uzurpuara dyshohet se ka pasur edhe ndërtime.

“Gjatë viteve të fundit nën ngastrat që i përkasin ndërmarrjes tonë, janë ndërtuar disa objekte, fusha sporti pa asnjë kërkesë apo miratim të ndërmarrjes tonë, ne nuk kemi ide se për çka shërbejnë ato objekte andaj kemi kërkuar që të mirrën të gjitha masat e nevojshme dhe të lirohen ato objekte nga uzurpatorët dhe të njëjtat të i kthehen pronarit legjitim”, ka thënë shefi i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka.

Ndërsa, zv.drejtori i Policisë për rajonin e Veriut tha se tashmë është hapur rasti pas kësaj kërkese.

“Është një pronë dhe disa ndërtesa një ose më shumë që konsiderojnë që prona si pronë është e Ibër Lepencit, kjo kompani ka kërkuar nga ana jonë për ta liru atë pronë, është hapur rast në koordinim me Prokurorinë si uzurpim i pronës dhe tash jemi në konsultim me prokurorin se si të veprohet tutje”, ka thënë Veton Elshani.

Në afërsi të pronave që po pretendohet që janë të uzurpuara më 29 nëntor ndodhi sulmi terrorist, që sipas autoriteteve të Kosovës në shpërthim u përdorën rreth 20kg eksplozivi e ku u shkatërrua një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit. Për të, Qeveria e ka fajësuar Serbinë dhe autoritetet shtetërore në Beograd. /dukagjini