Lirohet nga akuza noteri Sinan Visoka i akuzuar për korrupsion

Lirohet nga akuza noteri Sinan Visoka i akuzuar për korrupsion

Aktuale December 13, 2024 - 21:05

Këtë të premte në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është shpallur aktgjykimi lirues ndaj noterit Sinan Visoka për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa për Lirim Mustafen i cili në bashkëkryerje me noterin Visoka akuzohet për veprën penale të mashtrimit, kjo gjykatë ka refuzuar akuzën.

Në këtë rast, Visoka po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare me përpilimin e aktvendimit për shqyrtim të trashëgimisë duke mos përfshirë trashëgimtarët ligjorë, ndërsa Lirim Mustafa në bashkëkryerje me Visokën akuzohet për veprën penale të mashtrimit.

Visoka u lirua nga akuza me arsyetimin se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa refuzimin e akuzës për veprën penale të mashtrimit në bashkëkryerje gjykata e mori me arsyetimin se e njëjta ka arritur parashkrimin absolut raporton “Betimi për Drejtësi”

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Sulltane Hoti, ku sipas aktgjykimit është anuluar aktvendimi mbi shqyrtimin e trashëgimisë si në aktakuzë dhe aktvendimi i kadastrit me të cilin i është njohur e drejta e pronësisë të akuzuarit Mustafa.

Ndërkaq, të dëmtuarit i ka udhëzuar në kontest civil, si dhe palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjorë.

Po ashtu sot, në fjalën përfundimtare para kësaj gjykate prokurorja e rastit Dulina Hamiti ka kërkuar që në bazë të ligjit të akuzuarit të shpallën fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen, ndërsa këtë kërkesë të prokurores e ka mbështetur edhe mbrojtësja e të dëmtuarit Gazmend Mustafa, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku e cila fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim.

Gjithashtu, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim edhe mbrojtësi i të akuzuarit Visoka avokati Halit Shaljani i cili në elaborimin e fjalës përfundimtare ka theksuar se nga provat e paraqitura është vërtetuar pafajsia e të mbrojturit të tij.

Fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim edhe mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Arsim Bilalli i cili gjatë elaborimit deklaroi se tek i mbrojturi i tij mungon elementi i dashjes në kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet nga prokuroria.

Edhe të akuzuarit Visoka e Mustafa janë deklaruar në këtë fazë të procedurës duke i përkrahur deklarimet e avokatëve të tyre, duke kërkuar nga gjykata aktgjykim të drejtë dhe lirues ndaj tyre.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2020, i akuzuari Sinan Visoka akuzohet se në cilësinë e noterit më 15 shkurt 2016, kishte përpiluar aktvendim me të cilin kishte shpallë trashëgimtar ligjor të akuzuarin Lirim Mustafa, nip i të ndjerit R.M për ngastrën kadastrale në sipërfaqe 993 m2, duke ia mohuar të drejtën e trashëgimisë ligjore të dëmtuarve, të cilëve iu kishte shkaktuar edhe dëm pasuror.Ndërsa, i akuzuari Lirim Mustafa thuhet se me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, në mënyrë mashtruese iu kishte shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarve, të cilin i akuzuari Visoka e kishte shpallur trashëgimtar.

Visoka po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe në bashkëkryerje më të akuzuarin Lirim Mustafa edhe për veprën penale “Mashtrimi”. Detaje nga aktakuza e plotë të këtij rasti mund t’i lexoni duke klikuar KËTU. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përvecë nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.