Aktakuza e re e Speciales: Dëshmitarët e “ndikuar” janë Remi e Zyrapi

Aktakuza e re e Speciales: Dëshmitarët e “ndikuar” janë Remi e Zyrapi

Aktuale December 13, 2024 - 20:32

Dy-shin e konsideronte vendimtar. Për këtë arsye dëshmitarin me këtë shifër, Hashim Thaçi e zuri në gojë jo vetëm në takimin e 3 shtatorit 2023 me Hajredin Kuçin, por sipas Prokurorisë, u tregoi Bashkim Smakajt, Blerim Shalës e Artan Behramit më 9 shtator, edhe si ta udhëzojnë 2-shin për të dëshmuar në procesin ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve.

E sipas kësaj shifre, burri, tentimi për ndikim te i cili bëri që Thaçit t’i ngrihej aktakuzë e re, është Bislim Zyrapi.

Çështjet për të cilat do të pyetej ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë 12 ditëve të dëshmisë, ishin gjetur në një dokument në veturën e Bashkim Smakajt, kur u bastis më 30 tetor 2023.

Dokumenti i ri i kryeprokurores Kimberly West zbulon se dëshmitari tjetër për të cilin Thaçi foli në qendrën e paraburgimit në Sheveningen, me Fadil Fazliun, është ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.

Në fakt, në aktakuzë përmendet vetëm si “dëshmitari numër 1”, ndërsa thuhet se atë e kanë takuar Fadil Fazliu dhe djali i tij Fahri Fazliu në qershor dhe korrik, ndërkaq zbardhet se me Mustafën ka folur edhe Smakaj.

Veç këtyre, nga 6 dëshmitarët që përmenden në aktakuzë, te rasti i madh i Speciales kanë dëshmuar edhe ata me shifrën 6 dhe 4.

I fundit, dëshmitar i mbrojtur, pretendohet të ketë përfunduar si emër i zbuluar pa autorizim te Isni Kilaj, shënimet e të cilit i ka mbajtur në një MacBook që është ekzaminuar së fundmi.

Provat e reja inkriminuese të mbledhura nga MacBook-u i Kilajt jo vetëm që i forcojnë pretendimet ekzistuese kundër tij, por ngritin dyshime të reja, si dhe potencial për një apo më shumë shkelje shtesë, të cilat së bashku rrisin mundësinë e arratisjes së Kilajt.

West kërkoi arrestimin e Kilajt, Fazliut e Smakajt dhe bastisjen e dyfishtë te shtëpitë e tyre dhe te ajo e Hajredin Kuçit që në tetor, para konfirmimit të aktakuzës më 29 nëntor. /klankosova