Fshati Vragoli i Fushë-Kosovës nën ujë, banorët kërkojnë zgjidhje

Fshati Vragoli i Fushë-Kosovës nën ujë, banorët kërkojnë zgjidhje

Aktuale December 12, 2024 - 16:49

Rruga në fshatin Vragoli të Fushë-Kosovës është vërshuar nga uji pas reshjeve të fundit, duke shkaktuar vështirësi për banorët dhe kalimtarët.

Isuf Dervisholli, banor i fshatit, tregon për emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova FM, se ky problem ka vite që përsëritet.

“Nuk është vetëm sot apo me javë, por me vite, prej se u ndërtua kjo urë kemi pasur probleme”.

“Nuk janë të prekur vetëm banorët e fshatit me rreth 700 shtëpi, por edhe të gjithë ata që kalojnë sepse kjo është rrugë magjistrale”, thotë ai.

Sipas tij, situata është shkaktuar nga bllokimi i kanalizimit, për të cilin komuna nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

“Komuna po arsyetohet me ministrinë, duke thënë se kjo është pjesë që i takon asaj”, shton Dervisholli.

Pavarësisht neglizhencës institucionale, disa banorë kanë ndërhyrë vetë, duke përdorur pompa për të larguar ujin nga rruga.

Megjithatë, problemi mbetet i pazgjidhur, dhe shpeshherë banorët detyrohen të bëjnë kilometra shtesë për të gjetur një rrugë alternative.

“Me iniciativen e disa qytetarëve të Vragolisë, e kemi marrë dhe pastru në mënyrë vetanake me pompa të ujit, dhe e kemi largu pak ujin, sepse këtu ka qenë lartësi më e madhe”.

“Ne e kemi diku deri 5 kilometra me shku në Miradi të Epërme dhe me u kthy sepse nga kjo rrugë nuk mund të kalojmë”, u shpreh Dervisholli.