Instituti GAP prezanton raportin “Anketa e buxhetit të hapur 2023 për Kosovën”

Instituti GAP prezanton raportin “Anketa e buxhetit të hapur 2023 për Kosovën”

Aktuale December 12, 2024 - 15:26

Sot Instituti GAP organizoi tryezë diskutimi, ku u prezantua raporti “Anketa e buxhetit të hapur 2023 për Kosovën (Open Budget Survey)”.

Nora Latifi Jashari, nga Instituti GAP, tha se kjo anketë është realizuar për herë të parë në Kosovë, si vlerësim pilot në bashkëpunim me Partneritetin Ndërkombëtar të Buxhetit (International Budget Partnership), e cila shërben si mjet për të vlerësuar qeverisjen dhe llogaridhënien e qeverive, me fokus në tri fusha kryesore: transparenca, pjesëmarrja publike dhe mbikqyrja e buxhetit.

E Alexander Albertine, drejtor i Zyrës për Zhvillim Ekonomik në USAID Kosovë, vlerësoi këtë diskutim si një mundësi për përmirësimin e transparencës dhe inkurajoi që rezultatet e dala nga ky anketim të shihen si bazë për përmirësim dhe progres. Ai gjithashtu bëri thirrje për përpjekje kolektive për të integruar transparencën, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen publike në proceset qeveritare.

Rrona Zhuri, nga Instituti GAP, prezantoi rezultatet e “Anketës së buxhetit të hapur 2023 për Kosovën”, të cilat tregojnë se Kosova ka arritur një rezultat prej 50 nga gjithsej 100 pikë në fushën e transparencës buxhetore, ku vlerësohet disponueshmëria dhe gjithëpërfshirja e përmbajtjes së dokumenteve buxhetore. Sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile gjatë fazave të ndryshme të proceseve buxhetore, Kosova ka performancë të dobët, duke shënuar vetëm 9 nga 100 pikë. Në mbikëqyrjen buxhetore nga institucionet, Kosova ka arritur rezultatin e përgjithshëm prej 59 nga 100 pikë. Nga këto, mbikëqyrja e auditimit ka arritur rezultatin prej 72 pikëve, ndërsa mbikëqyrja legjislative prej 53 pikëve. Instituti GAP rekomandon që dokumentet buxhetore si Projektligji mbi ndarjet buxhetore, të jenë më gjithëpërfshirëse në përmbajtje dhe të ofrojnë më shumë detaje. Për më shumë, institucionet publike duhet të kenë mekanizma shtesë për të angazhuar qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile gjatë fazave të ndryshme të procesit buxhetor.

Salvador Elmazi, drejtor i Departamentit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve theksoi disa çështje kyçe që lidhen me procesin buxhetor në Kosovë, sfidat, dhe nevojën për përmirësim në nivel institucional. Ai shtoi se pjesëmarrja më e madhe e qytetarëve në fazat fillestare të hartimit të buxhetit, si dhe tek ajo e Kuvendit në fazat përfundimtare, do të ndihmonte në rritjen e transparencës. Tutje, ai shtoi se do të punohet për një plan veprimi më të mirë, që reflekton rekomandimet dhe praktikat e mira ndërkombëtare.

Faruk Rrahmani, drejtor i Departamentit të Auditimit dhe Raportit Vjetor të Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, theksoi se taksapaguesit janë kontribuuesit kryesorë të buxhetit të shtetit dhe kanë të drejtë të kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie për menaxhimin e parasë publike. Ai bëri thirrje për rritjen e kapaciteteve për kontroll të brendshme në organizata buxhetore dhe rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit, duke theksuar rëndësinë e tyre për transparencë dhe përdorim efikas të fondeve publike.

Arben Loshi, u.d. i sekretarit në Kuvendin e Kosovës, përmendi se gjatë viteve të fundit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rregullore të re e cila parasheh procedurë të veçantë për shqyrtimin dhe miratimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore. Ndër të tjera, ai theksoi se parashihet që projektbuxheti të shqyrtohet edhe nga komisionet parlamentare përkatëse për sektorë të caktuar. Për më shumë, ai e ngriti si çështje faktin që në shumë raste projektbuxheti aprovohet me procedurë të përshpejtuar, e që rezulton në periudhë të shkurtër për diskutim.