“Si skllave”, punëtoret filipinase në Kosovë durojnë abuzimet në heshtje
Foto: REL

“Si skllave”, punëtoret filipinase në Kosovë durojnë abuzimet në heshtje

Aktuale December 12, 2024 - 14:45

Të mashtruara nga agjenci të rekrutimit me ëndrra për një jetë më të mirë, shumë punëtore filipinase të përkujdesjes shtëpiake në Kosovë përballen me një realitet të ashpër. Disa prej tyre, të lëna pa dokumente, i durojnë abuzimet në heshtje, të bllokuara nga kontratat që nuk mund t’i lexojnë dhe nga një sistem që nuk arrin t’i mbrojë.

Me pasaportën e konfiskuar, një punëtore filipinase pastron shtëpinë e punëdhënësit të saj në Kosovë dhe kujdeset për fëmijët e tij nga momenti kur hap sytë në mëngjes e deri kur i mbyll në orët e vona të mbrëmjes.

Për gjashtë ditë në javë, Laura duron edhe dhunën e ushtruar nga njëri fëmijë i punëdhënësit.

“Vetë shefi e ka parë duke më goditur. I ka folur atij dhe fëmija ka thënë se nuk do ta përsërisë, por prapëseprapë e bën”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Laura ka më shumë se një vit që punon në Kosovë, e sjellë nga një agjenci për rekrutim të punëtorëve të huaj në Shqipëri.

Nga Shqipëria, me veturën e punëtorit të agjencisë, ajo ka udhëtuar për në Kosovë pa u pajisur me vizë, leje qëndrimi apo leje pune.

“Ata [në kufi] nuk shikuan... nuk inspektuan. Thjesht, më lanë të kaloja. Agjenti më solli këtu dhe e takova punëdhënësin diku pranë Prizrenit”, tregon ajo.

Kufiri që ndan Kosovën dhe Shqipërinë nuk kontrollohet si kufijtë e tjerë. Që nga maji i këtij viti është në fuqi një marrëveshje që lejon kalimin e tij pa kontrollim të pasaportave dhe letërnjoftimeve për shtetasit e dy vendeve.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministritë e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Shqipërisë për këtë temë, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Policia e Kosovës thotë se kufiri me Shqipërinë mbikëqyret në mënyra alternative, si monitorimi përmes sistemit të kamerave, informatave që pranon Policia Kufitare nga institucionet e sigurisë, patrullimeve në brezin kufitar etj.

Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës gjithashtu thotë se bën rregullisht inspektime të kompanive që dyshohet se punësojnë punëtorë të huaj.

Kontrata e Laurës përcakton se ajo do të punojë 40 orë në javë për një kompani. Megjithatë, kontrata nuk e reflekton realitetin e saj të punës.

Laura jeton e punon deri në 16 orë në ditë në shtëpinë ku është e punësuar si shtëpiake.

Kjo bën që respektimi i të drejtave të saj si punëtore të mos monitorohet nga askush, pasi që Inspektorati i Punës në Kosovë nuk ka mandat të kontrollojë në shtëpi private.

Brikenë Hoxha, drejtoreshë e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), thotë se punëtorët si Laura nënshkruajnë kontrata me pronarë biznesesh kinse do të punojnë në atë biznes, por realisht punojnë në shtëpitë e tyre.

“Ky punësim është plotësisht joformal dhe kushtet natyrisht që nuk janë ashtu siç do të ishin po të pajiseshin me kontratë reale”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

REL-i ka pyetur Inspektoratin e Punës - për të cilin ka marrë vesh se është në dijeni për keqpërdorimet e punëdhënësve me punëtorët e kujdesit shtëpiak - por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Kontakti mes punëtoreve filipineze dhe punëdhënësve të tyre në Kosovë arrihet përmes ndërmjetësimit të agjencive të rekrutimit, kryesisht nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Brikenë Hoxha, nga IKS-i - që monitoron tash e sa muaj kushtet e punës për imigrantët - thotë se më problematike është gjendja e atyre që vijnë përmes Shqipërisë.

Me gjithë tentimet, agjenci të rekrutimit në Shqipëri s’kanë qenë të qasshme për t’u përgjigjur në pyetjet e REL-it për këtë temë.

Ekspertja e punësimit në Shqipëri, Kumrie Zika, thotë se këto agjenci nuk i respektojnë procedurat e rekrutimit të drejtë.

“Synimi i tyre është vetëm fitimi i të ardhurave dhe patjetër që punëtorët imigrantë i shohin si dikë që mund ta këmbejnë në cilëndo vlerë, pa ndjekur asnjë procedurë”, thotë Zika për REL-in.

Shqipëria ka nënshkruar së fundi një marrëveshje me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), e cila parasheh që agjencitë nuk mund t’u kërkojnë para punëtorëve imigrantë për gjetjen e një vendi pune, pasi që këtë shpenzim parashihet ta mbulojnë punëdhënësit.

Megjithatë, Kenza Dimechkie, nga ILO-ja, tregon për Radion Evropa e Lirë se ky rregull, shpeshherë, nuk zbatohet.

“Ne kemi agjenci rekrutimi në Shqipëri, të cilat rekrutojnë njerëz që mbase tashmë janë duke punuar në një vend të Gjirit ose ndonjë vend tjetër në Azi dhe ata vijnë në Shqipëri e pastaj dërgohen në Kosovë”, thotë ajo.

“Kështu që, ata kalojnë nëpër disa ndërmjetësues të ndryshëm, që mund t’u kërkojnë para. Dhe, këto shuma grumbullohen dhe mund t’i fusin në borxhe punëtorët, gjë që pastaj ua bën të vështirë ta lënë vendin e punës”, shton ajo.

Sipas Dimechkies, një hap drejt zgjidhjes së këtyre problemeve do të ishte monitorim strikt i punës së agjencive të rekrutimit, për t’u siguruar se ato i respektojnë të drejtat e punëtorëve.

Zika thotë se në Shqipëri nuk bëhen mjaftueshëm kontrolle ndaj këtyre agjencive, “sepse po të bëheshin mjaftueshëm, do të ishin reduktuar këto raste”.

E, në mungesë të një mbrojtjeje institucionale - si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë - një grup prej 53 punëtoreve filipinase në Kosovë së fundi janë bërë bashkë, në përpjekje për ta formuar një organizatë joqeveritare.

Radio Evropa e Lirë ka ndjekur një takim të tyre, ku ato kanë rrëfyer problemet e shumta me të cilat përballen.

Ato s’ishin të gatshme t’i ndanin publikisht ato, pasi frikësoheshin nga punëdhënësit, të cilët i quanin “njerëz të fuqishëm” në Kosovë.

Njëra nga themelueset, Sandra, tregon se shumica e punëtoreve filipineze në Kosovë punojnë në përkujdes shtëpiak.

Për punë deri në 16 orë në ditë dhe gjashtë ditë në javë, ajo tregon se këto punëtore paguhen me nga së paku 500 euro në muaj.

“Ato jetojnë falas në shtëpitë e punëdhënësit dhe ushqehen aty falas. Por, nuk mund të themi që është mjaftueshëm, sepse të punosh për 16 apo 18 orë në ditë, me një pagë fikse, është realisht e vështirë”, thotë Sandra.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU