Kabashi njofton se Komisioni i Venecias konstatoi se përbërja e KPK-së është e prirë drejt rrezikut

Kabashi njofton se Komisioni i Venecias konstatoi se përbërja e KPK-së është e prirë drejt rrezikut

Aktuale December 12, 2024 - 14:26

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin me titull “Si duket korporatizmi dhe pandëshkueshmëria në sistemin prokurorial”.

Ky raport u publikua në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2024”, i cili organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile (IKD, FOL, INPO) me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”.

Flamur Kabashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se për reformën në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Komisioni i Venecias ka vlerësuar se përbërja e KPK-së është e prirë drejt rrezikut për korporatizëm.

Kabashi tha se llogaridhënia ndaj publikut dhe përfshirja si një palë e interesuar ndihmon në rritjen e besimit në institucione, minimizimin e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe krijimin e një mendësie që e shikon transparencën si një vlerë të domosdoshme.

“Për vite me radhë, KPK nuk ka vepruar kështu, duke mos ju përgjigjur plotësisht shoqërisë sipas rolit që ka”, tha Kabashi, teksa shtoi se Këshilli nuk veproi as sipas Kushtetutës, e cila përcakton se ‘Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron që Prokurori i Shtetit të jetë i pavarur, profesional, i paanshëm dhe pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës dhe parimet e barazisë gjinore”’.

Sipas tij, në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë për ta ndryshuar përbërjen e Këshillit Prokurorial, e cila nuk solli rezultatet e nevojshme, Komisioni i Venecias analizoi këtë përbërje dhe vlerësoi se është përbërje korporatiste.

“Fillimisht, në lidhje me përbërjen aktuale të KPK-së, opinioni i Komisionit të Venecias theksoi se ky Komision ka mbrojtur vazhdimisht këshillat prokurorial ku prokurorët e zgjedhur nga kolegët e tyre përfaqësojnë një ‘pjesë të rëndësishme’, por jo domosdoshmërisht shumicën e anëtarëve”, tha Kabashi.

Ai tha se në raport me përbërjen aktuale të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Komisioni i Venecias nënvizoi se KPK-ja aktuale përbëhet pothuajse tërësisht nga prokurorë dhe, për këtë arsye, është e prirur ndaj rrezikut të korporatizmit.

Prandaj, thotë se, Komisioni i Venecias thekson nevojën për uljen e përqindjes së anëtarëve prokurorë. Kabashi foli edhe për çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit, ku tha se konkursi i shpallur për Kryeprokuror të ri të Shtetit më 12 janar 2022 e i përfunduar më 6 prill 2022, ishte shoqëruar me parregullsi të shumta, proces që kishte ngjallur reagime të shumta në Kosovë si nga shoqëria civile ashtu edhe nga ambasadat kryesore në vend.

Sipas Kabashit, KPK-ja propozoi Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit edhe përkundër kritikave, mirëpo ky propozim ishte refuzuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila zgjodhi të rreshtohej me kritikat e OJQ-ve dhe ndërkombëtarëve.

Edhe përkundër që Presidentja vendosi që procesin ta kthejë në pikën zero, Kabashi tha se Këshilli sërish më 25 tetor 2023 i ishte drejtuar sërish Presidentes, duke propozuar emrin e njëjtë për kryeprokuror.

Ai thekson se letra që ishte e nënshkruar nga ish-kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, me të cilën i ishte drejtuar Presidentes me emrin e njëjtë për të dytën herë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Kabashi tha se KPK-ja do të duhej që në rastin konkret t’i adresojë gjetjet e presidentes. Sipas Kabashit, KPK-ja duhet që në rastin konkret të adresoj gjetjet e Presidentes së Republikës së Kosovës, duke organizuar një proces të ri konkurrimi që do të garantonte meritokraci dhe pastaj të rekomandonte kandidatin e përzgjedhur për Kryeprokuror të Shtetit.

Ndërsa Deona Kamberaj, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit me titull “Si duket korporatizmi dhe pandëshkueshmëria në sistemin prokurorial”, tha se KPK-ja ka shkelur kuotën gjinore të cilën ajo e kishte përcaktuar vetë në Rregulloren e saj. Sipas saj, kjo qasje dëshmon se KPK-ja pothuajse vetëm formalisht miraton akte nënligjore të cilat synojnë avancimin në fusha të caktuara.

“Përkundër obligimit që pati, obligim të cilin KPK-ja ia kishte caktuar vetes, ajo vendosi që si kandidatë të përzgjedhur ta konstatojë një burrë dhe jo një grua, duke shkelur kuotën gjinore sipas Rregullores për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë. Përtej cenimit të barazisë gjinore, kjo qasje dëshmon se KPK pothuajse vetëm formalisht miraton akte nënligjore të cilat synojnë avancimin në fusha të caktuara. Kjo pasi në raste të caktuara, mendësia korporatiste e saj e KPK-ja tejkalon këto rregullore, të cilat shkelen pa asnjë vështirësi nga KPK-ja”, tha Kamberaj.

Ajo tutje tha se mungesa e barazisë gjinore është pak e shprehur në numrin e prokurorëve të Prokurorit të Shtetit, por është absolute në pozitat udhëheqëse brenda sistemit prokurorial të Kosovës.

“Deri në fund të vitit 2023 kanë qenë 189 prokurorë në sistemin prokurorial, prej të cilëve 59% e përbënin burrat dhe 41% e përbënin gratë. Por, asnjë prokurori në vend nuk udhëhiqet nga ndonjë grua. Nga dhjetë zyrat e prokurorive, të gjitha udhëhiqen nga burrat. E njëjta vlen edhe për Këshillin Prokurorial, i cili udhëhiqet nga një burrë. (Pa) barazia gjinore është e theksuar edhe në përbërjen e KPK-së. Nga 10 anëtarë sa ka pasur KPK deri në fund të vitit 2023, vetëm tri prej tyre kanë qenë gra. Shprehur në përqindje, në kuptim të numrit të anëtarëve prokurorë, i bie se 70% e KPK-së është përbërë nga anëtarët burra dhe vetëm 30% nga anëtaret gra. Fatkeqësisht, ky numër ka ndryshuar në vitin 2024, kjo pasi anëtares nga radhët e PSRK i kishte skaduar mandati”, shtoi Kamberaj.