Gërvalla: Guxo ka në listë 15 kandidatë për deputetë, është më e fortë se kurrë
Donika Gërvalla, kryetare e partisë Guxo, ka reaguar pas raportimeve për pakënaqësi nga disa persona, të cilët nuk janë futur në listën për deputetë.
Gërvalla në reagimin e saj thotë se gjithmonë ka pasur dhe do të ketë persona, të cilët kur nuk përfshihen, për arsye të ndryshme, ajo sqaroi se në listën për garën e zgjedhjeve të 9 shkurtit janë 15 kandidatë nga Guxo, të cilët do të garojnë një listë me LVV-së dhe Alternativën, transmeton Zeri.info.
Reagimi i plotë:
Para se të ngazëllehen ato media, të cilat me agresivitet të pazakonshëm dhe të panevojshëm sulmojnë Partinë Guxo, më lejoni të bëj një sqarim të shkurtër.
Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë persona, të cilët kur nuk përfshihen, për arsye të ndryshme, në listën e kandidatëve për deputetë, tek atëherë aktivizohen e zgjohen. Mllefin, jo rrallë, e shprehin duke personalizuar e privatizuar strukturat partiake dhe duke pretenduar se partia po shuhet pse ata nuk janë në lista zgjedhore.
Partia Guxo dhe e gjithë struktura e saj, dhe këtë e them me përgjegjësinë jo vetëm të bashkëkryetares së Partisë Guxo, por edhe si kryetare e Degës së Partisë Guxo në Pejë, sot është më e fortë, më e konsoliduar e më unike se kurrë.
Me listën tonë prej 15 kandidatësh, në partneritet me LVV-në dhe Alternativën, në zgjedhjet e 9 shkurtit do të fitojmë fuqishëm e do të vazhdojmë punët e mira për Kosovën!