Bekim Jashari mohon përfshirjen e motrës Besartës me VV-në për deputete: Familja jonë s’do të përfshihet në parti politike
Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pas raportimit në disa media se motra e tij, Besarta do të përfshihet në listën e kandidatëve për deputetë në Lëvizjen Vetëvendosje.
Jashari ka demantuar një lajm të tillë, duke thënë se familja e komandantit legjendar Adem Jashari do të qëndrojë jashtë përfshirjes aktive në partitë politike dhe proceset zgjedhore.
“Pas interesimit të madh të mediave për një qëndrim të familjes sonë lidhur me spekulimet për mundësinë e përfshirjes së motrës sime, Besarta Jashari, si kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës, ju njoftojmë se Besarta nuk do të jetë pjesë e asnjë liste elektorale të asnjë partie politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka shkruar Jashari në një postim në Facebook.
Tutje ai ka thënë se familja Jashari nuk do të përfshihet në partitë politike.
“Familja jonë mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të qëndruar jashtë përfshirjes aktive në partitë politike dhe proceset zgjedhore, duke ruajtur angazhimin tonë si përkrahës të paanshëm të zhvillimit të vendit tonë”, ka thënë ai.
“Në këtë moment të rëndësishëm për Kosovën, bëjmë thirrje për unitet dhe bashkëpunim të plotë mes të gjithë akterëve politikë në vend”.
Jashari ka thënë se “vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të fuqizojmë shtetin tonë, të shtrijmë sovranitetin e tij territorial, të forcojmë demokracinë, të avancojmë subjektivitetin ndërkombëtar dhe të kontribuojmë për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që ofron punësim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët”.