A po prishet monopoli i Ex-Fis në Aeroport? Gjykata Komerciale i jep të drejtë ACC-së, refuzon padinë e Limak-ut
Gjykata Komerciale ka refuzuar padinë e “Limak” kundër Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, përmes së cilës “Limak” kërkonte anulimin e vendimit me numër 01/ADP/VE/2021 të datës 19.01.2021, të nxjerrë nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës.
Pasi që gjykata e ka konsideruar të ligjshëm vendimin e ACC-së, atëherë bëhet e qartë se “Limak” ka të drejtë dhe detyrim ligjor të hapë tregun dhe të sigurojë konkurrencë të ndershme në shërbimet e aeroportit.
Përmes kësaj, pritet që të prishet edhe monopoli i krijuar i “Limak” me kompaninë e karburanteve “Ex-Fis” në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës – “Adem Jashari”.
Si ishte krijuar monopoli me kompaninë e afërt me pushtetin dhe institucionet po mbyllnin sytë para marrëveshjeve të kundërligjshme?
Më datë 16 tetor të këtij viti, Berat Buzhala kishte raportuar rreth dyshimeve për një super-skandal brenda Aeroportit të Prishtinës.
Buzhala kishte deklaruar se çmimi i kerozinës në Aeroportin e Prishtinës, ishte më i larti në rajon dhe për këtë arsye, kjo po ndikonte direkt në çmimin e biletave për udhëtim, të cilat kishin arritur kulmin dhe ishin më të shtrenjtat në rajon.
Në fakt, institucionet kishin mbyllur sytë, veshët dhe gojën para një krimi që po ndodhte publikisht. Ato kishin lejuar krijimin e një monopoli në Aeroportin e Prishtinës, ku vetëm kompania e karburanteve “Ex-Fis”, po shiste kerozinë me çmim prej 0.95 cent deri në 1 Euro për litër.
Krimi qëndron këtu:
Kur Republika e Kosovës kishte bërë marrëveshje me Limakun, për dhënien me koncesion të Aeroportit të Prishtinës, marrëveshja përfshinte fitimin e kompanisë “Limak” e cila do të merrte 0.02 cent për çdo litër të kerozinës, por në fakt, kompania “Limak” kishte shkuar tutje duke bërë marrëveshje tjetër të kundërligjshme me kompaninë “Ex-Fis”, ku kishte specifikuar se do të merrte 0.12 cent nga çdo litër kerozine e shitur nga kompania “Ex-Fis”, e cila rrjedhimisht do të shiste të gjithë kerozinën e kërkuar në aeroport, pasi që nuk kishte konkurrencë.
Kur jemi tek konkurrenca, në fakt Republika e Kosovës e ka të rregulluar me Ligj pjesën e konkurrencës dhe monopolit dhe e njëjta vlen edhe për Aeroportin e Prishtinës, të cilët kundërligjshëm kishin lejuar krijimin e monopolit për kompaninë e karburanteve “Ex-Fis”.
Berat Buzhala kishte ngritur dyshime për marrëveshje për monopol të kompanisë “Ex-Fis” dhe “Limak”, e cila normalisht që dëmtonte vetëm qytetarët.
“Ex-Fis” ishte përfolur edhe si kompani e afërt me pushtetin, andaj kjo shihej si një prej arsyeve pse institucionet nuk po reagonin për të prishur këtë monopol në Aeroport.
Për ta thjeshtësuar këtë situatë për opinionin, një fluturim dy-orësh i aeroplanit nga Kosova për në Evropë, shpenzon rreth 8 mijë litra kerozinë. Për këtë fluturim, i bie që “Limak” do të merrte 0.12 cent për litër, që në total i bie 960 euro. Sipas asaj që parashihet me kontratën për koncersium mes “Limak” dhe institucioneve shtetërore të Kosovës, në fakt “Limak” është dashur të fitojë vetëm 160 euro prej këtij fluturimi, pra 0.02 cent për litër. Por, krijimi i monopolit për “Ex-Fis”, ia kishte mundësuar rritjen e fitimit të dyja palëve, ndërsa kompanitë e aviacionit, normalisht që do t’i përkthenin këto shpenzime në çmime të biletave të aeroplanit.
Berat Buzhala kishte shkuar edhe tek Autoriteti i Konkurrencës, si institucion që duhej të reagonte ndaj kësaj padrejtësie që po i bëhej qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kompanive konkurente të karburantit.
Në vitin 2021, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës – ACC, kishte nxjerr vendim administrativ i cili i impononte “Limak” një sërë detyrimesh që synonin krijimin e një mjedisi të hapur, transparent dhe jodiskriminues për ofruesit e shërbimeve në tokë, veçanërisht në aspektin e furnizimit me karburant dhe infrastrukturën e centralizuar të aeroportit.
Kompania “Limak” kishte kundërshtuar këtë vendim të ACC, duke thënë se këto urdhërime ishin të paligjshme dhe se tejkalonin kompetencat e ACC-së dhe binin ndesh me marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet “Limak” dhe Qeverisë së Kosovës në kuadër të partneritetit publiko-privat për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Për këtë, “Limak” ka paditur ACC-në në Gjykatë.
Ndërkaq, disa ditë më parë, Gjykata Komericale e Kosovës ka refuzuar në tërësi padinë e “Limak”, ku në një pjesë të arsyetimit, theksohet edhe çështja e “Ex-Fis” dhe urdhëri që ACC-ja kishte për “Limak” përmes vendimit administrativ të vitit 2021, të cilin “Limak” e kishte kundërshtuar.