Kurti do të marrë pjesë në një konferencë në Sarajevë për raportet rajonale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të shkojë të enjten në mbrëmje, më 5 dhjetor, në Sarajevë, konfirmoi për Radio Evropa e Lirë (REL) Adil Kullenoviq, president i organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Ai tha se Kurti do të marrë pjesë në një konferencë që do të organizojë kjo organizatë një ditë më pas, më 6 dhjetor në Sarajevë ku do të mbajë një fjalim.
“Në këtë sesion do të diskutohet për marrëdhëniet rajonale”, tha Kullenoviq për REL-in.
Në tetor, Kurti kishte deklaruar gjatë një samiti të Procesit të Berlinit se Kosova do të lejojë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025.
Marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, që do të mundësojë që qytetarët e këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar në Parlamentin e Bosnjës.
Ajo po bllokohet nga përfaqësuesit e entitetit të Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut.
Qytetarët e Kosovës, që duan të udhëtojnë drejt Bosnjës do të duhen të pajisen me viza, “që lëshohen vetëm në raste të jashtëzakonshme”, dhe duhet të miratohen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës. Kërkesat për viza mund të dorëzohen në Shkup, Podgoricë dhe Beograd, ndërkaq pagesa për vizë është 31 euro.
Për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës që duan të udhëtojnë në Kosovë kërkohet, ndër të tjera, një letër garancie ose rezervim hoteli, kontratë pune dhe certifikatë apo konfirmim se nuk janë të dënuar. Viza kushton 40 euro dhe dorëzohet në ambasadën e Kosovës në Zagreb.
Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën, për shkak të kundërshtimit të entitetit të Republikës Sërpska, të udhëhequr nga presidenti prorus Millorad Dodik, i cili është nën sanksione amerikane për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit./REL