Prokuroria Speciale deklarohet rreth intervistimit të Nagip Krasniqit
Prokuroria Speciale ka dhënë detaje lidhur me intervistimin e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Zëdhënësja e PSRK-së Liridona Kozmaq, tha për Klankosova.tv se ai është intervistuar me ftesë të kësaj prokurorie, në cilësinë e të pandehurit, për një çështje penale të cilën kjo prokurori e ka në hetim.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur Ju informoj se N.K. është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. I njëjti është intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, tha ajo.
Ndërkaq lidhur me rastin pak më herët ka folur edhe avokati Virtyt Ibrahimaga.
Ai për Klankosova.tv tha se kjo nuk është çështje e re, por është intervista e dytë në lidhje me hetimet që janë duke u bërë për riparimin e Bllokut A5 që kanë filluar në janar të vitit 2023.
“Kjo është intervista e dytë për të njëjtën çështje, pra atë të dyshimit për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, në rastin e rregullimit të kalldajës. Tjetër hetim nuk ka në lidhje me z. Krasniqi”, tha ai.