Kosova dhe Shqipëria kryesojnë Rajonin me kërkesa për azil në Evropë

Kosova dhe Shqipëria kryesojnë Rajonin me kërkesa për azil në Evropë

Aktuale December 04, 2024 - 18:20

Shtetasit nga Kosova dhe Shqipëria vijojnë të kryesojnë me një diferencë të dukshme se vendet e tjera të rajonit të Ballkanit për nga kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë Evropiane për Azilin (EUAA) gjatë muajit shtator të këtij viti u paraqitën 586 kërkesa të reja për azil nga Shqipëria dhe 584 kërkesa nga Kosova.

Numri i kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria gjatë muajit shtator është dukshëm më i lartë krahasuar me vendet e tjera në rajon ku nga Maqedonia e Veriut janë paraqitur në një nga vendet e Bashkimit Evropian 286 kërkesa për azil, nga Serbia 252, nga Bosnjë Hercegovina 252 dhe nga Mali i Zi vetëm 46 kërkesa, raporton VOA.

Numri i kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian në nëntë muajt e parë të këtij viti ka shkuar në rreth 5500.

Nga të dhënat e publikuara më herët nga Agjencia Evropiane për Azilin, rreth 2700 kërkesa të shtetasve nga Shqipëria të mbledhura gjatë vitit të shkuar janë në pritje për t’u shqyrtuar.

Kërkesat për azil të shtetasve shqiptarë në numrin më të lartë vijojnë në dy vendet fqinje Itali dhe Greqi, por edhe në Francë dhe në Gjermani.

Agjencia Evropiane për Azilin (EUAA) tha se autoritetet për azilin në Bashkimin Evropian morën 84,000 kërkesa për azil nga shtetas me kombësi të ndryshme në shtator të këtij viti.

Kërkesat janë në shifra të qëndrueshme të këtyre muajve të fundit, por me një të tretën më pak në krahasim me kulmin e vjeshtës së kaluar, thotë Agjencia Evropiane për Azilin.

Sipas EUAA, numri i çështjeve në pritje të një vendimi të shkallës së parë vazhdoi të rritet, duke arritur në 969,000 në fund të shtatorit 2024, që është më i madhi në këto tetë vitet e fundit.

Agjencia për Azilin tha se deri në fund të shtatorit 2024, rreth 4.3 milionë persona përfituan nga mbrojtja e përkohshme në Bashkimin Evropian pasi u larguan nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Shumica e përfituesve u pritën nga Gjermania dhe Polonia, por Çekia priti më shumë përfitues për frymë, thotë Agjencia Evropiane për Azilin. /VOA