Pritet të pezullohen nga detyra dy ushtarët malazezë të arrestuar në Kosovë

Pritet të pezullohen nga detyra dy ushtarët malazezë të arrestuar në Kosovë

Aktuale December 04, 2024 - 15:29

Dy pjesëtarë të ushtrisë së Malit të Zi, të arrestuar në Kosovë, pritet të pezullohen nga detyra për shkak të mosinformimit të eprorëve të tyre për udhëtimin jashtë vendit, raporton Vijesti.

Rajko Krivokapiq dhe Dragutin Lalatoviq udhëtuan në Kosovë pa njoftuar komandantët e tyre, gjë që është e detyrueshme sipas ligjit.

Ata janë arrestuar në fund të nëntorit pranë manastirit të Banjskës, pasi në automjetin e tyre kishin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Pas një paraburgimi dyditor, Gjykata Themelore në Pejë u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Prokuroria i akuzon se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës.

Sipas Vijestit, Ministria e Mbrojtjes në Mal të ZI ka nisur hetimet dhe është duke pritur dokumente zyrtare nga Kosova për të filluar procedurën disiplinore. Ndërkohë, dy ushtarët e arrestuar pritet të marrin dy të tretat e pagave dhe më pas të suspendohen. /KK