Haxhiu: Dhuna ndaj grave, pengesë e madhe për zhvillim shoqëror
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me partnerin implementues OJQ “Assist Kosova”, ka organizuar diskutim të nivelit të lartë në formë të tryezës së rrumbullakët me temë “Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave: Politikat dhe avokimi. Zbatimi dhe rruga përpara”.
Emily Rakhorts, nga EULEX-i, ka folur për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, si dhe për rëndësinë e zbatimit të Konventës së Stambollit, ndonëse përmendi se Kosova ka treguar përkushtim ndaj hartimit të saj, sa i përket dhunës në familje.
Ajo theksoi se gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen me dhunë në familja, në punë e komunitet, derisa shtoi se varësia ekonomike përkeqëson gjendjen e tyre.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se dhuna ndaj grave duhet të jetë temë që na përbashkon si shoqëri dhe institucione.
“Kemi dhënë kontribut, kjo nuk është vetëm një çështje që prek individë, por dhe shoqërinë tonë në tërësi”, tha Haxhiu.
Ajo ka thënë se dhuna ndaj grave është një pengesë e madhe për barazinë gjinore, për drejtësinë dhe për zhvillimin shoqëror.
Haxhiu tha se për parandalimin e dhunës ndaj grave janë miratuar sërë masash, si dhe në këtë drejtim ka theksuar se është plotësuar protokolli për trajtimin e dhunës seksuale.
“Ministrja e Drejtësisë në vazhdimësi ka pasur aktivitete me qëllim të ndërgjegjësimit, sensibilizimit të opinionit për pasojat e dhunës në familje, si dhe u kemi bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që rastet e dhunës në familje të trajtohen me prioritet, të mos paragjykohen, të mos neglizhohen”, tha ajo.
Haxhiu theksoi se viktimat mbrohen nga shteti.
Ndërsa Arbnesh Ajvazi, nga Policia e Kosovës, tha se dhuna në familje është bërë tashmë dukuri që kërkon vëmendjen e të gjithëve, si dhe një qasje shumë profesionale. /EO