Edhe një javë afat për certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë
Foto: Laura Hasani

Edhe një javë afat për certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë

Aktuale December 04, 2024 - 10:54

Në kuadër të digjitalizimit të operacioneve të ndryshme zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është funksionalizuar platforma elektronike https://certifikimi.kqz-ks.org/.

Kjo platformë do t’u shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre për certifikim dhe të listës së kandidatëve për deputetë për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

“Të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës dhe koalicioneve të deklaruara, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) iu ka krijuar dhe dërguar ‘Userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve për deputetë.

Gjithashtu, KQZ-ja, përmes Zyrës do të krijojë ‘Userët’ edhe për të gjitha subjektet politike (iniciativat dhe kandidatët e pavarur) që kërkojnë të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje”, thuhet në njoftim.

Për përdorim më të lehtë të kësaj platforme, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) ka mbajtur disa seanca trajnimi me përfaqësues të subjekteve politike.

“Me qëllim që subjekteve politike (partive politike, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur) t’iu ndihmohet në përdorimin e platformës, nëse kanë nevojë, Zyra ka vënë në dispozicion dy tavolina ndihmëse dhe këtë numër kontakti 038 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, ka filluar më 1 shtator dhe do të përfundojë më 11dhjetor 2024, në orën 16:00”, thuhet tutje në njoftimin e KQZ-së.

Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për certifikim të subjekteve politike janë publikuar në direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/certifikimi-i-subjekteve-politike/