QKRMT-ja kërkon sigurim të plotë e të pakushtëzuar shëndetësor për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës
Në seancën plenare të Kuvendit të caktuar për datën 5 dhjetor 2024 pritet të shqyrtohet edhe Projektligji nr. 08/L-320 për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Me projektligjin aktual viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë mund të përfitojnë nga sigurimi shëndetësor të paguar nga shteti vetëm nëse konstatohet statusi i tyre i varfërisë.
Prandaj, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) i ka dorëzuar një kërkesë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Grupit të Grave Deputete, si dhe Grupeve Parlamentare, duke propozuar që të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të përfitojnë mbulimin e plotë të sigurimit shëndetësor pa asnjë kushtëzim.
Propozimi synon përmirësimin e qasjes në kujdesin shëndetësor për këtë kategori, duke eliminuar barrierat administrative dhe kushtet që aktualisht lidhen me statusin ekonomik të individit.
“Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë ndër grupet më të cenueshme në vend, më shumë se 90% prej tyre përballen me probleme shëndetësore kronike si pasojë e dhunës së përjetuar. Përkundër kësaj, mbulimi i shpenzimeve mjekësore për ta mbetet i kufizuar dhe i kushtëzuar nga verifikime shtesë, të cilat janë shpesh të papërshtatshme dhe përkeqësojnë stigmën e lidhur me këtë kategori”, thuhet në komunikatën e QKRMT-së.
Përse kërkohet ky ndryshim?
QKRMT thekson se të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë nevoja specifike dhe të përditshme për kujdes mjekësor, të cilat tejkalojnë mundësitë që ata kanë për t’i mbuluar vetë. Pensioni që u jepet aktualisht nuk mbulon shpenzimet bazë për vizita mjekësore, terapi fizike, medikamente dhe shërbime psikosociale të nevojshme për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
“Prandaj, është e papranueshme që të mbijetuarit e dhunës seksuale të mbeten peng i barrierave administrative apo kritereve të varfërisë për të realizuar të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor. Një trajtim i tillë është jo vetëm i padrejtë, por edhe një pengesë për përpjekjet për rehabilitimin dhe dinjitetin e tyre”.
“Propozimi ynë synon të sigurojë mbulimin e plotë të sigurimit shëndetësor nga ana e shtetit për këtë kategori, pa kërkesa shtesë. Kjo do të garantonte një qasje më të lehtë në shërbimet mjekësore dhe do të eliminonte rrezikun e përjashtimit apo stigmës që lidhet me aplikimet për ndihmë bazuar në statusin ekonomik”, thotë QKRMT-ja. /Zëri