Sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Osmani bisedon me Jim O’Brien dhe David Lammy
Foto: Laura Hasani

Sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Osmani bisedon me Jim O’Brien dhe David Lammy

Aktuale December 03, 2024 - 20:37

Sulmi terrorist që ndodhi më 29 nëntor të këtij viti në fshatin Varagë të Zubin Potokut, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit, është dënuar fuqishëm nga të gjithë aleatët ndërkombëtar të Kosovës, ku edhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar biseda telefonike me linderë e partnerë ndërkombëtar pas këtij sulmi që ka ndodhur.

Këtë e ka konfirmuar këshilltari për Media në Presidencë, Bekim Kupina.

Kupina i ka thënë për “Zërin” se presidentja Osmani ka zhvilluar bisedë telefonike me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy dhe zv. Sekretarin Amerikan të Shtetit, Jim O’Brien.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar biseda me liderë e partnerë ndërkombëtarë pas sulmit të fundit terrorist që ka targetuar infrastrukturën vitale në vend. Përveç përfaqësuesve të shumë vendeve të tjera mike, përfshirë presidentë shtetesh, ajo bisedoi së fundi edhe me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy dhe zv. Sekretarin Amerikan të Shtetit, Jim O’Brien. Ajo i ka falënderuar për reagimin dhe dënimin e sulmit ndaj infrastrukturës vitale në Ibër-Lepenc. Diskutimet u fokusuan në sulmin e fundit terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës dhe implikimet e tij për stabilitetin e Kosovës dhe më gjerë”, ka treguar Kupina për Zeri.info.

Theksojmë se gjatë ditës së sotme edhe Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka kërkuar që autorët e sulmit në Banjskë por edhe të sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit të vihen para drejtësisë. /Zëri