Takimi me SBASHK-un, Nagavci: Çështja e pagave për mësimdhënësit përcaktohet nga ligji vjetor i buxhetit
Foto: Facebook

Takimi me SBASHK-un, Nagavci: Çështja e pagave për mësimdhënësit përcaktohet nga ligji vjetor i buxhetit

Aktuale December 03, 2024 - 17:58
MASHTI: Diskutimi për kontratën kolektive s’duhet të jetë i njëanshëm dhe i margjinalizuar

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka njoftuar për takimin e të martës me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Ministria ka thënë se mbetet gjithmonë e hapur për të diskutuar dhe bashkëpunuar me SBASHK-un në përputhje me zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovës dhe të trajtohen bashkërisht çdo nismë ligjore brenda infrastrukturës ligjore të Kosovës.

“Dokumentet dhe iniciativat për ndryshime legjislative duhet të trajtohen brenda kornizës ligjore, pasi çdo qasje e njëanshme mund të shkaktojë përçarje në kolektivat e mësimdhënësve nëpër shkolla, të pengojë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe të mos kontribuojë në objektivin e përbashkët për rritjen e cilësisë në arsim. Siç dihet, gjatë qeverisjeve të kaluara, në periudha zgjedhore, janë nënshkruar marrëveshje të shumta me sindikatën, të cilat kanë prodhuar pasoja juridike me të cilat institucionet tona vazhdojnë të përballen. Prandaj, një gabim i tillë nuk do të përsëritet. Çështja e pagave për mësimdhënësit është rregulluar me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik (08/L-196) dhe përcaktohet nga ligji vjetor i buxhetit. Rrjedhimisht, rritja e koeficientit përfshin edhe mësimdhënësit. Sa i përket kontratës kolektive, diskutimi nuk duhet të jetë i njëanshëm dhe as i margjinalizuar. Ky diskutim mund të zhvillohet nga BSPK dhe Këshilli Ekonomik Social në nivel qeveritar, sapo të krijohen kushtet e përcaktuara me ligj. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet gjithmonë e hapur për të diskutuar dhe bashkëpunuar me SBASHK-un në përputhje me zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, si dhe për trajtimin e përbashkët të çdo nisme ligjore brenda infrastrukturës ligjore të Republikës së Kosovës”, thuhet nga MASHTI.

SBASHK-u ka njoftuar se takimi mes përfaqësuesve të sindikatës dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, s’ka prodhuar rezultat. Të mërkurën do të mbahet protestë e SBASHK-ut para Ministrisë së Arsimit e më pas para Qeverisë.