Kurti i kërkon Kallasit që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin në Kosovë
Foto: European Union

Kurti i kërkon Kallasit që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin në Kosovë

Aktuale December 03, 2024 - 17:06
Kurti insiston në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve

Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar të martën takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Takimet vijnë në një moment të tensionuar për rajonin, ndërsa dialogu ndërmjet dy vendeve mbetet i komplikuar.

Pas takimit, Kurti shprehu optimizëm për angazhimin e Kallasit.

“Nga liderët që ka Evropa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, presidenti Vuçiq e përshkroi bisedën me Kallas si “të hapur dhe të vështirë”.

Ai theksoi se diskutuan për dialogun me Kosovën, çështjen e Banjskës dhe sanksionet ndaj Rusisë.

“Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Takimet vijnë vetëm disa ditë pas një shpërthimi në Zubin Potok, për të cilin Kosova fajëson Serbinë.

BE e ka cilësuar incidentin e 29 nëntorit si një “akt terrorist” dhe “sabotim të infrastrukturës kritike të Kosovës”.

Tensionet mbeten të larta që nga sulmi i armatosur në Banjskë, ku humbi jetën një polic kosovar. Për këtë ngjarje, Millan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë, por Serbia ende nuk ka marrë vendim për aktakuzën e mundshme ndaj tij.

BE dhe SHBA kanë bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.