KPK-ja dhe ZKPSH-ja reagojnë ndaj Kurtit: Po cenoni rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti të bëra në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës.
KPK-ja dhe ZPK-ja thonë se Kurti të hënën nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza të padrejta në drejtim të tyre, transmeton Zeri.info.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) detyrohen që edhe një herë të reagojnë ndaj deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, konkretisht ndaj deklaratës së Kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili dje nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza të padrejta në drejtim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Prokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj”.
“Deklaratat e Kryeministrit për raste individuale, duke i interpretuar ato në mënyrën e tij dëshirore, pa i ditur faktet dhe duke e keqinformuar publikun në mënyrë të qëllimshme, lëndojnë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, përbëjnë ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë në punën e Prokurorisë dhe cenojnë rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, thuhet në reagimin e KPK-së dhe ZKPSH-së.
Sipas tyre, një qasje e tillë e Kryeministrit dëmton funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet institucionale për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe në vend që Kryeministri t’i mbështesë kërkesat buxhetore të sistemit prokurorial, ai zgjedh rrugën e sulmeve ndaj institucioneve të Prokurorit të Shtetit.
“Andaj, KPK-ja dhe ZKPSH-ja u bëjnë thirrje Kryeministrit të vendit, anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të partisë në pushtet që të jenë të përmbajtur, të tregojnë sjellje të përgjegjshme institucionale dhe të mos tentojnë që përmes diskursit dhe retorikës politike ta sulmojnë sistemin prokurorial”, thuhet në reagim. /Zëri