Pse Osmani s’mori pjesë në “Darkën e Lamës” e organizuar nga Peci? Flasin nga Presidenca

Pse Osmani s’mori pjesë në “Darkën e Lamës” e organizuar nga Peci? Flasin nga Presidenca

Aktuale December 03, 2024 - 11:54

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, mbrëmjen e së hënës ka shtruar “Darkën e Lamës”, ku në mesin e shumë personaliteteve i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Pjesëmarrës në darkën e ministrit të Bujqësisë, përveç kryeministrit Albin Kurti, ishin edhe zyrtarë të ministrive, ambasadorë e përfaqësues të korporatave bujqësore, por aty nuk u pa presidentja Vjosa Osmani.

Telegrafi ka pyetur zyrën e presidentes Osmani për mospjesëmarrjen e saj në këtë darkë.

Bekim Kupina, këshilltari për media i Osmanit, ka bërë të ditur se traditën e “Darkës së Lamës” presidentja e Kosovës Vjosa Osmani këtë vit e ka organizuar në “SOS Fshatin e Fëmijëve” në Kosovë.

“‘Darka e Lamës’, e iniciuar nga presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, është traditë të cilën presidentja Osmani e ka vazhduar çdo vit, duke përfshirë sivjet më 26 tetor 2024.

Çdo vit nderohen grupe të ndryshme, ndaj përgjatë kësaj pjese të mandatit të presidentes Osmani, kjo darkë është shtruar për: trupin diplomatik, Policinë e Kosovës në kampin “Enver Zymberi”, banorët e Shtëpisë së të Moshuarve dhe më 26 tetor të këtij viti me fëmijët dhe të rinjtë e ‘Fshatit SOS’”, ka deklaruar Kupina.

Ai ka shtuar se ruajtja e kësaj trashëgimie është thelbësore për ta vazhduar traditën tonë kombëtare dhe institucionale.

“Në përputhje me vizionin e Presidentit Rugova, Darka e Lamës është një organizim nën patronatin e institucionit të Presidencës, institucion ky që sipas kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, e po ashtu mbahet në tetor për shkak të kohës kur mblidhen dhe vilen të mirat e tokës sonë. Pra, ashtu siç është nisur nga presidenti Rugova, ashtu është vazhduar deri tash nga presidentja Osmani”, ka thënë Kupina.

Telegrafi ka pyetur edhe në Ministrinë e Bujqësisë për të ditur nëse presidentja Vjosa Osmani ishte e ftuar në këtë ngjarje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

Në vitin 2002 ish-presidenti Ibrahim Rugova shpalli Ditën e Falënderimeve – “Darkën e Lamës” si një festë shtetërore.