Ministri Peci: Auditori nuk gjeti asnjë shkelje të vetme në programin e granteve 2023
Foto: Laura Hasani

Ministri Peci: Auditori nuk gjeti asnjë shkelje të vetme në programin e granteve 2023

Aktuale December 02, 2024 - 14:42

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë para deputetëve se që nga koha që ka marrë mandatin në krye të kësaj ministrie, gjithsej 20 zyrtarë janë arrestuar.

Peci tha se një numër i konsiderueshëm i këtyre zyrtarëve e kanë pranuar fajësinë për marrje ryshfeti.

“Me duhet që të bëj publike që në periudhën pasi unë jam bërë ministër, janë 20 zyrtarë të arrestuar të Ministrisë së Bujqësisë, ku një numër i konsiderueshëm i tyre e kanë pranuar fajësinë për marrje ryshfeti e disa prej të cilëve dhanë ryshfet. Janë vetë zyrtarët që janë të suspenduar për shkak të shkeljeve të evidentuara, ndërsa tash unë kam pranuar sot raportin e Auditorit në të cilin flet për programin e grantit të vitit 2023 mes të tjerash thotë se ‘konsiderojmë se nuk kemi arritur të gjejmë asnjë shkelje të vetme’. Në aspektin moral flasim sa të doni, po diskutimin për kategoritë morale më shumë është vend në kishë dhe xhamia”, tha Peci.

Gjatë fjalës së tij në seancë ai ka kujtuar dhe ish-presidentin Rugova në 80-vjetorin e lindjes, si dhe mesazhin e tij për angazhim në sigurimin e bukës së motmotit.

“Sot është dy dhjetori sikur presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, të ishte në jetë ai do t’i kishte 80 vjet, e një nga amanetet e tij ka qenë që të angazhohemi fortë që të sigurojmë bukën e motmotit. E kemi siguruar bukën e motmotit. Nuk e dëgjova prej LDK-së që e përmendën as Ibrahim Rugovën e datën 2 dhjetor, nëse na falni se ju tani jeni ‘Rruga e re’”, ka thënë Peci.