Tahiri: Qeveria Kurti po e lë Kosovën pa projekte dhe me largim të popullsisë
Foto: Laura Hasani

Tahiri: Qeveria Kurti po e lë Kosovën pa projekte dhe me largim të popullsisë

Aktuale December 02, 2024 - 14:30

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti gjatë katër viteve të saj.

Në debatin parlamentar, Tahiri tha se Kurti po e lë Kosovën pa projekte konkrete dhe me një situatë të rënduar ekonomike e sociale.

“Kurti po e lë Kosovën pa asnjë projekt që e ka nisur dhe përfunduar. Emigrimi i popullsisë për arsye ekonomike është fenomeni më i dhimbshëm që ka prekur vendin në këto katër vjet,” deklaroi Tahiri.

Ai shtoi se Kosova ka përjetuar përkeqësim të marrëdhënieve me ndërkombëtarët, duke përmendur stagnimin në raportet me SHBA-në dhe sanksionet nga BE-ja.

“Vendin tonë po e lënë nën sanksione. Republika e Kosovës, përjashtimisht kontratat që i kanë nënshkruar ne BE-në para qershorit të vitit 2023. Prej qershorit të vitit 2023, BE-ja në Kosovë paguan paga vetëm për punëtorët e tyre. Përderisa Shqipërisë i janë ndarë 900 milionë euro deri në vitin 2025, fonde të para anëtarësimit, ne nga qershori i vitit 2023 e deri sot që po flasim të vetmen mjete që BE-ja i shpenzon në Kosovë janë pagat e stafit. Asgjë tjetër. Këtu e ka sjell subjektivitetin ndërkombëtarë kryeministri jonë. Më e dhimbshme se kjo është raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

Në anën tjetër, ai theksoi se politika e jashtme ka dështuar nën qeverisjen e Kurtit. Krahas kësaj, ai tha se kreu qeveritar ka rrezikuar edhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Tash e dy vjet kur kemi një stagnim të këtij bashkëpunimi dhe kur kemi një relacion të dëmtuar me ShBA-në, ne kemi mbërritur në një situatë kur s’kemi as anëtarësime në organizata ndërkombëtare. S’po flas për shoqata, pasi ato që i tha kryeministri, s’kisha dashur t’i dëgjojë prej gojës së një kryeministri. S’je anëtarësuar në Interpol, UNESCO dhe të tjera”, shtoi ai.