Gashi liston dështimet e qeverisë “Kurti”
Foto: Laura Hasani

Gashi liston dështimet e qeverisë “Kurti”

Aktuale December 02, 2024 - 13:30

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka listuar dështimet, që sipas tij qeveria “Kurti” i ka përgjatë katër vjetësh qeverisjeje.

Këto dështime sipas Gashit kanë të bëjnë me shëndetësi, sundim të ligjit dhe rendit, bujqësisë, arsimit.

“Sot, si deputetë të këtij Kuvendi, kemi për detyrë të shqyrtojmë një çështje të rëndësishme. Zotimet e bëra nga Qeveria dhe përmbushjen e tyre në sektorët kyçë të vendit tonë. Qeveria përmes programit të saj ka paraqitur një listë të gjerë zotimesh dhe synimesh për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës, avancimin e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, sundimit të rendit dhe ligjit, çështjes sociale e të tjera”, tha Gashi.

“Për këto tema gjithsecili do të flasin individualisht kolegët e mi deputetë, por më lejoni që të bëjë një rezyme. Tek ekonomia dhe inovacioni, kryeministri kishte premtuar shuarjen e Agjencisë Kosovare te Privatizimit. Vazhdon privatizimi si asnjëherë më parë. Pra kjo nuk është realizuar, kryeministri ka dështuar”.

“Ka premtuar krijimin e Bankës Zhvillimore, nuk është realizuar, ke dështu. Ka premtuar skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, tekno-parkun për inovacion, nuk është realizuar, ke dështu. Ka premtuar rivitalizimin e Trepçës dhe sistemit të xeheroreve në Kosovë, nuk është realizuar, ke dështu”.

“Te siguria në punë dhe kushtet e punës, Qeveria premtoi përmirësimin e kushteve të punës, pesëfishimin e inspektorëve të punës, asnjë nga këto nuk ka ndodhur. Çdo punëtor në vendin tonë meriton siguri dhe dinjitet. Ka premtuar rrugën Prizren-Tetovë, ka dështuar. Autostrada Prishtinë-Gjilan, dështim. Autostrada Podujevë-Prishtinë, dështim. Autostrada Prishtinë-Mitrovicë, dështim. Autostrada Prishtinë-Pejë, dështim. Autostrada Klinë-Gjakovë, dështim. Pra infrastruktura dhe kryeministri dështim. Kryeministri ka premtuar ndërtimin e 4 mijë banesave sociale, dështim. Arsimi dhe shëndetësia, dështim”.

Ndër të tjera, Gashi ka ironizuar me fjalimin e Kurti në Kuvend, i cili thotë se ishte fjalimi më i gjatë në historinë e parlamentizmit në Kosovë.

“Një gjë sot është e sigurt, kryeministri e ka pasur fjalimin e tij më të gjatë në historinë e parlamentarizmit të Kosovës, dhe asnjë moment në detyrën e tij përfaqësues si kryeministër. E pamë si drejtor i një ndërmarrjeje publike, e pamë si drejtor të spitalit rajonal në Pejë, e pamë si drejtor çerdheje, e pamë si komandant ndërrimi në stacion policor, por në asnjë moment, asnjëherë, asnjë rrethanë në detyrat dhe lartësinë e tij kryeministrore”, thotë Gashi.