AGK-ja reagon pas kërcënimit me vrasje ndaj gazetarit Berat Buzhala

AGK-ja reagon pas kërcënimit me vrasje ndaj gazetarit Berat Buzhala

Aktuale December 02, 2024 - 12:56

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar fuqishëm kërcënimin me vrasje ndaj gazetarit Berat Buzhala.

Ky asociacion ka reaguar edhe ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nga i cili ka kërkuar ta ndalë gjuhën linçuese ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë.

Reagimi vjen pasi Buzhala ka publikuar një mesazh që i ka ardhur në Facebook, nga një qytetar i cili ka shkruar: “Besën e Shqiptarit po ta jap se pat vra ty e do si ti se lo dije ditet e numrume i ki, jo vec pi meje po ke T’fala prej Popullit Kosovar”.

“Ky është një kërcënim shumë serioz që vë në rrezik sigurinë e Buzhalës dhe medies ku punon dhe AGK-ja e fton Policinë e Kosovës ta shqyrtojë seriozisht dhe urgjentisht rastin e të mbajë përgjegjës personin në fjalë”, thuhet në reagim.

Përveç të tjerash, AGK-ja e sheh me shqetësim të madh përhapjen e vazhdueshme të gjuhës së urrejtjes dhe linçimit ndaj gazetarëve, që vjen më së shumti nga zyrtarë qeveritarë dhe të partisë në pushtet.

“AGK-ja e fton kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të ndalë gjuhën linçuese ndaj gazetarëve dhe medieve në Kosovë dhe që të njëjtën ta bëjnë edhe zyrtarët e tjerë të partisë së tij”, thuhet në reagim.