80-vjetori i lindjes, Osmani vendos lule te shtatorja e Rugovës
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së presidentit historik Ibrahim Rugova, e para e shtetit Vjosa Osmani ka vendosur lule te shtatorja e tij.
Ajo tha se në historinë e shtetit tonë shkëlqen një emër që mishëron guximin, urtësinë dhe ëndrrën tonë për shtet të pavarur – dr. Ibrahim Rugova, ati themeltar dhe presidenti historik.
“Me besim të pafund në paqen, dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë, presidenti Rugova hodhi themelet e një Kosove të pavarur, duke formësuar një trashëgimi të rrënjosur në mençurinë, durimin, qëndrueshmërinë dhe vullnetin e pathyeshëm të një kombi. Me urtësinë, me vizionin e një burrështetasi dhe me shpirtin e një patrioti, presidenti Rugova na bashkoi në momentet tona më të vështira, duke frymëzuar brezat për të ecur në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Rrugë nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë”, ka thënë më tej presidentja Osmani. /Zëri