Rrjedhja e ujit në kanalin Ibër-Lepenc, Mujka: Sot nis ndërtimi i një by-passi, do të zgjasë disa ditë
Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc ka shkaktuar dëme të mëdha, të cilat po vazhdojnë të sanohen edhe gjatë këtyre ditëve.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se mbrëmë ka pasur një intervenim serioz në kanal për shkak të dëmeve nga eksplozivi i hedhur dhe kushteve atmosferike.
Mujka ka treguar se ka pasur rrjedhje në kanal dhe se është dashur që tubat t’i zëvendësojnë me një kontejner e sipas tij, këtë e kanë realizuar gjatë mbrëmjes deri sot në mëngjes.
“Ka pasur çarje, dëmtime të shumta, të cilat kanë shkaktuar edhe rrjedhje në kanal. Kështu që na u ka deshtë mbrëmë t’i zëvendësojmë tubat me një kontejner dhe këtë e kemi realizuar gjatë mbrëmjes, pas mesnate deri sot në mëngjes në mënyrë që qytetarët dhe operatorët të mos e hetojnë mungesën e ujit”, ka thënë Mujka.
Ai ka thënë tutje se furnizimi me ujë tashmë është normalizuar dhe sot do të fillojnë me ndërtimin e një by-passi, i cili do t’ju ndihmojë në renovimin e kanalit në mënyrën e duhur.
“Furnizimi është kthyer në normalitet në orët e para të mëngjesit, ndërsa nga sot do të vazhdojmë të ndërtojmë një by-pass, i cili do të zgjasë tre-katër ditë, derisa të ndërtohet, pastaj qarkullimi i ujit do të bëhet përmes këtij by-passi dhe do të na jep mundësinë ta rinovojmë në mënyrën e duhur”, ka shtuar Mujka.
Mujka është shprehur se ndërtimi i by-passit do t’i furnizojë me ujë në baza normale qytetarët, KEK-un dhe operatorët tjerë.
Ndërsa, sipas tij, pasi uji largohet nga kanali dhe zhvendoset në by-pass, atëherë mund të bëhet një vlerësim real i dëmeve.
“Tash a duhet me u rrënu vetëm gjysma e kanalit apo i tërë kanalit, mbetet për tu vlerësuar nga ekspertët dhe pastaj një projekt, ju e dini se si shkojnë këto procedura. Riparimi mund të zgjasë me javë, mirëpo kjo nuk do të ndikojë në furnizimin me ujë”, ka theksuar kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”.
Tutje ai deklaroi se nëse duhet ta ndërtojnë kanalin e ri, kjo iu kushton minimumi një milion euro.
“Kjo nuk është shumë precize, por nga eksperienca dhe punët e ngjashme një kanal në dimensione të tilla na kushton diku një milion euro”, ka potencuar ai.
Më tej, ai ka vijuar se dëmi i shkaktuar është shumë i madh duke filluar nga funksionaliteti i ndërmarrjes deri tek rrezikimi i punëtorëve në sanimin e tyre.
“Dëmi i shkaktuar për ne ka qenë shumë i madh në aspekte të shumta edhe në aspektin e funksionalitetit të ndërmarrjes, e dyta edhe në rrezikimin e punëtorëve, në sanimin, punën e tyre”, ka përfunduar kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka.