Peci homazhe pranë varrit të Rugovës: Amaneti i tij ishte që Kosova ta sigurojë bukën e motmotit

Peci homazhe pranë varrit të Rugovës: Amaneti i tij ishte që Kosova ta sigurojë bukën e motmotit

Aktuale December 02, 2024 - 11:08

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci i shoqëruar nga anëtarë tjerë të Listës Guxo, kanë bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në përvjetorin e lindjes së tij.

Nga aty, ministri Faton Peci kujtoi mesazhet që kishte marrë nga ish-presidenti Rugova.

Image

Njëra ndër to ishte edhe angazhimi institucional që Kosova ta sigurojë bukën e motmotit.

“Jemi këtu për të nderuar veprën dhe angazhimin e prijësit të shqiptarëve të lëvizjes së viteve 90-ta që është kurorëzuar me shtetin e pavarur. Unë atëherë si fatos i presidentit Rugova në organizimin e të rinjve mbaj mend edhe mesazhet politike që presidenti Rugova në vazhdimësi ka përçuar, njëra prej mesazheve politike ka qenë që duhet të angazhohemi fort në institucione që përmes tokës së begatë, Kosovës t’ia sigurojmë bukën e motmotit dhe unë jam shumë i lumtur që përherë të parë Kosova ka arritur ta sigurojë bukën e motmotit. Në nderim dhe respekt për kulturën tonë të lashtë por njëkohësisht për ta kthyer në vëmendje kujtesën e ideatorit që Darkën e Lamës ta shndërrojmë në kremte kombëtare, nën patronatin tim si ministër i Bujqësisë, sot organizojmë Darkën e Lamës në ditëlindjen e Presidentit Rugova”, tha Peci.

Image

Data 2 dhjetor, shënon ditën e lindjes së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai sot do të mbushte plot 80 vjet. Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në Cërrcë të Istogut, ndërsa vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 61-vjeçare.

Ish-presidenti Rugova kujtohet me lavdi e krenari, veçanërisht për Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, ngjarjen e veçantë të vendit në rrugëtimin historik e politik drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës, e cila unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike. /Eo