Zogaj: Çdo ditë po vërehet mungesa e vizionit të Rugovës për një Kosovë të zhvilluar e demokratike

Zogaj: Çdo ditë po vërehet mungesa e vizionit të Rugovës për një Kosovë të zhvilluar e demokratike

Aktuale December 02, 2024 - 10:27

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, me përfaqësues të Degës së Tretë të LDK-së në kryeqytet kanë bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në përvjetorin e lindjes së tij.

Zogaj tha se çdo ditë po vërehet mungesa e vizionit të Rugovës për një Kosovë të zhvilluar e demokratike e sidomos kohëve të fundit na duhet urtësia e tij që ai gjithmonë e ka ushqyer për këtë vend.

“Sot jemi në nderime te varri i presidentit Rugova. Është një ditë e veçantë për të gjithë ne, sidomos për degën të LDK-së të cilën unë e udhëheq. Presidenti Rugova është një figurë të cilën ne e ndjekim, e lartësojmë dhe i përjetshëm do të jetë kujtimi për të e sidomos çdo ditë e më shumë po e vërejmë mungesën e tij, urtësisë së tij dhe po e shohim çdo ditë vizionin e tij për një Kosovë të zhvilluar e demokratike e sidomos kohëve të fundit na duhet urtësia e tij që ai gjithmonë e ka ushqyer për këtë vend”, tha Zogaj.

Data 2 dhjetor shënon ditën e lindjes së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai sot do të mbushte plot 80 vjet. Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cërrcë të Istogut, ndërsa vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 61-vjeçare.

Ish-presidenti Rugova kujtohet me lavdi e krenari, veçanërisht për Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, ngjarjen e veçantë të vendit në rrugëtimin historik e politik drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës, e cila unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë, si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike. /Eo