Dëmtimi i kanalit në Ibër-Lepenc, Rizvanolli: Mund të ketë reduktime të ujit gjatë ditës
Foto: Laura Hasani

Dëmtimi i kanalit në Ibër-Lepenc, Rizvanolli: Mund të ketë reduktime të ujit gjatë ditës

Aktuale December 02, 2024 - 10:12

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se mbrëmë në mesnatë është ndërprerë furnizimi me ujë, për shkak të rrjedhjeve në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit, që u dëmtua nga sulmi terrorist.

Rizvanolli ka bërë të ditur se për të ruajtur sigurinë e kanalit ka qenë e domosdoshme të bëhet një zgjidhje inxhinierike.

“Për shkak të rrjedhjeve të ujit në pjesën e kanalit që është dëmtuar nga sulmi terrorist, për të ruajtur sigurinë e kanalit, ka qenë e domosdoshme të bëhet zgjidhje e re inxhinierike. Për të realizuar punët në kanal, furnizimi i kanalit me ujë është ndërprerë mbrëmë në mesnatë. Si rrjedhojë, komunat që furnizohen me ujë nga Ibër-Lepenci mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme”, shkroi Rivanolli.

Ministrja ka theksuar se intervenimet në kanal sapo kanë përfunduar dhe furnizimi i kanalit me ujë ka rifilluar, ndërsa nivelet e ujit në termocentralin “Kosova B” janë monitoruar dhe kanë qenë të mjaftueshme përgjatë gjithë kohës.

“Sikurse edhe gjatë dy ditëve të kaluara, prioritet i parë do të mbetet furnizimi i mjaftueshëm i termocentralit me ujë për ftohje, për të zgjeruar pastaj furnizimin për KRU-të sa më herët që është e mundshme. Qytetarët inkurajohen të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta rreth furnizimit me ujë”, ka theksuar ministrja.

Ministrja falënderoi ekipin e Ibër-Lepencit dhe kontraktorin për punën e kryer në kanal, si dhe ministrin Xhelal Sveçla dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi për mbikëqyrjen e punimeve gjatë gjithë natës.