“Sulmi ndaj Ibër-Lepencit kërcënim serioz”, gjithçka që u tha dhe ndodhi gjatë 24 orëve të fundit në veri
Mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ndodhi një shpërthim i cili dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Fatmirësisht nga ky shpërthim nuk pati viktima, mirëpo nga dëmet që u shkaktuan në kanal banorët e Mitrovicës nuk kanë pasur ujë për gati 24 orë.
Pas riparimit të përkohshëm, furnizimi me ujë është rikthyer.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të dielën në konferencën e radhës të mbajtur rreth shpërthimit në Ibër-Lepenc, ka deklaruar se sulmi i planifikuar ishte një kërcënim serioz që, po të realizohej, do të kishte pasoja të mëdha.
“Nëse do të arrihej qëllimi i sulmit mbi kanalin e Ibër Lepencit, pasojat do të ishin marramendëse për furnizimin me ujë dhe energji”, tha Kurti, duke theksuar se dëmet do të prekeshin në mënyrë të drejtpërdrejtë qindra mijëra qytetarë.
Ai shtoi se sulmi ishte e vështirë ta parandalohej për shkak të “elementëve të paparashikueshmërisë, mungesës së informatave të plota dhe shpejtësisë së veprimit të autorëve.”
Kurti shtoi se dëmet direkte do të ishin së paku 2.5 milionë euro në ditë për import të energjisë elektrike e 100 mijë euro tjera në ditë për ujë.
Nga ana tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi përkushtimin e institucioneve në mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit.
“Ky sulm e bëri një gjë të qartë, institucionet e Kosovës dhe ndërmarrjet publike janë të përgatitura të përballojnë kërcënime të tilla, duke siguruar që furnizimi me ujë dhe energji të rikthehet shpejt dhe pa pasoja për qytetarët. Ibër-Lepenci është duke vazhduar punën me ekspertë dhe me përkrahje të ministrisë për ta bërë të mundur sanimin afatgjatë të kanalit”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, Policia e Kosovës në kuadër të masave parandaluese për sulme të tilla, ka realizuar edhe një aksion tjetër në veri të vendit. Në këtë operacion, janë sekuestruar armë dhe pajisje të tjera që mund të lidhen me aktivitete të paligjshme.
Gjatë kontrollit në një lokacion në Varagë janë gjetur dy armë gjuetie, një armë karabinë M48 dhe një sasi e municionit të kalibrave të ndryshëm.
Ndërsa në dy lokacione në Mitrovicën e Veriut, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të një personi të dyshuar, janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, një armë forme lapsi kimik, 278 fishekë të kalibrave të ndryshëm, përfshi edhe të armës së gjuetisë, tri thika, pesë emblema, një shall maskues me kapelë, një audio incizues, një USB, një bateri dore, një këllëf për pistoletë, një rrip brezi taktik, një sprej, tre krehër të zbrazët për fishekë, një karikator për pistoletë dhe një radiolidhje me adapter.
Këto veprime janë pjesë e përpjekjeve për të siguruar rendin dhe për të parandaluar rreziqe të tjera ndaj sigurisë kombëtare.
Ndërkaq njëri nga të arrestuarit në veri, i cili dyshohet për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, doli para Gjykatës në Prishtinë.
Gjykata Themelore i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit lidhur me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës të datës 01.12.2024, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.V, ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kujtojmë se menjëherë pas sulmit të ndodhur të premten, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë i cili ishte vendosur në një çantë të zezë dhe ishte aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.
Kurse ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë “prodhim serb” dhe se një pjesë e madhe e tyre janë “pajisje ekskluzivisht ushtarake” që nuk mund të gjendet lehtë në tregun e zi.
Eksplozivi i përdorur në sulmin ndaj kanalit “është e pamundur të gjendet, nëse nuk furnizohet drejtpërdrejt nga depot e ushtrisë”, u përgjigj Sveçla pasi u pyet se si ka mundur të futet një sasi kaq e madhe eksplozivi në atë pjesë të vendit. /Telegrafi