Mëngjesi i sotëm e gjen pa ujë të pijshëm Mitrovicën
Foto: Laura Hasani

Mëngjesi i sotëm e gjen pa ujë të pijshëm Mitrovicën

Aktuale December 02, 2024 - 08:12

Veriu i vendit kohëve të fundit ka qenë bazë e shpërthimeve të shumta, si në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, ashtu edhe në komunën e Zveçanit dhe stacionin policor.

E shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit ka lënë pasoja të mëdha, ku edhe sot në mëngjes Mitrovica është zgjuar pa ujë të pijshëm.

Kështu bën të ditur gazetari korrespondent i Klan Kosovës, Urall Boshnjaku.

“Mitrovica u zgjua pa ujë të pijes dhe kjo për fat të keq ka ndodhur pa paralajmërim”, u shpreh Boshnjaku.

Te pjesa ku ka ndodhur shpërthimi në Varagë të Zubin Potokut, ka vazhdimisht patrullime nga Policia e Kosovës, të pranishëm janë edhe KFOR-i dhe EULEX-i, gjersa në pjesët e veriut, Policia e Kosovës tashmë ka rritur praninë.

Sipas Boshnjakut, gatishmëria policore është rritur një ditë para se të ndodhte shpërthim në Varagë.