Tahiri: Akti terrorist në veri, pjesë e një mendësie të errët të Serbisë
Foto: Laura Hasani

Tahiri: Akti terrorist në veri, pjesë e një mendësie të errët të Serbisë

Aktuale December 01, 2024 - 19:29

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se sulmi i 29 nëntorit në veri të vendoit, është një akt terrorist.

Tahiri ka thënë se ky sulm dëshmon se rrjeti i krimit dhe ai terrorist sponsorizohet nga një politikë anti-evropiane dhe anti-amerikane me qëllim të destabilizimit të vendit  dhe rajonit.

“Sulmi i 29 nëntorit është një akt terrorist, i cili dëshmon se rrjeti i krimit dhe ai terrorist sponsorizohet nga një politikë anti-evropiane dhe anti-amerikane me qëllim të destabilizimit të vendit tonë dhe rajonit. Akti terrorist i mbrëmshëm është pjesë e një mendësie të errët të Serbisë, një shtet që mbron, amniston, përdor dhe instrumentalizon kriminelë dhe terroristë për të imponuar agjenda pro-ruse sipas udhëzimeve dhe strategjive që ndjek”, tha Tahiri.

Tahiri ka shtuar se Kosova nuk eksporton pasiguri dhe jostabilitet.

“Kushdo që nxit sulme të tilla duhet ta dijë se, ne si shtet dhe institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës kanë kapacitet të plotë të mbrojtjës së vendit tonë. Kosova nuk eksporton pasiguri dhe jostabilitet. Kjo është kultura jonë kombëtare dhe njerëzore, e cila nuk duron dhunën dhe aktet e shëmtuara si ai i mbrëmshëm”, është shprehur Tahiri.

Ai ka thënë se duhet hetim i thellë në koordinim me partnerët ndërkombëtar.

“Një hetim i thellë duhet të ndodh shpejt në bashkërendim të plotë me institucionet e sigurisë së vendit dhe partnerët ndërkombëtar. Ndërsa në Kosovë, ata që sfidojnë lidershipin amerikan duhet ta dinë se, për aq kohë sa veprojnë në atë agjendë, janë duke i dhënë Serbisë një kapital politik dhe diplomatik, të cilin ajo e konverton lehtësisht në projekte dhe projeksione që godasin Kosovën drejtpërdrejt ose tërthorazi. Është koha për veprim, unitet, vendosmëri dhe maturi. Guximi i Kosovës nuk ka munguar kurrë, dhe historia dëshmon se asnjë kërcënim nuk mund ta thyejë atë”, u shpreh Tahiri. /klankosova