Kurti tregon arsyet pse institucionet e sigurisë s’mund ta parandalonin sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mbajtën një konferencë të përbashkët për medie.
Kryeministri Albin Kurti ka dhënë tri arsye që sipas tij sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit ka qenë e pamundur të parandalohet, raporton Zeri.info.
Sipas Kurtit, është gjatësia e kanalit të Ibër-Lepencit, mosprezenca e FSK-së për shkak të marrëveshjes së vitit 2013 me NATO-n, dhe e fundit, imagjinata terroriste e kriminale e Serbisë.
Më poshtë Zeri.info ju sjell një pjesë të deklaratës së Kurtit lidhur me pyetjen që iu bë në konferencë se a do të mund të parandalohej një sulm i tillë:
Kanali Ibër-Lepenc është një kanal prej mbi50 kilometrash dhe natyrisht që është tejet e vështirë që të kontrollohet dhe të jetë në mbikëqyrje 24 orë në tërë gjatësinë e tij. E dyta, në veriun e Kosovës jemi të hendikepuar me qenë se ushtria jonë, që nga zotimi i ish-kryeministrit Thaçi në vitin 2013, nuk mund të shkoj në veri të Ibrit dhe në këtë mënyrë atje nuk është situata sikurse në pjesët e tjera të vendit tonë. Së treti, imagjinata demokratike nuk arrin gjithmonë ta parthakoj, imagjinatën kriminale e terroriste. Këso sulmesh u ndodhin edhe vendeve demokratike perëndimore, madje do të thosha edhe më shumë se neve. Por imagjinata terroriste e kriminale e sponsorizuar nga një shtet që është më i madh se sa i yni e me traditë të gjatë e të gjerë të këso lloj sulmesh e që e ka për aleat të ngushtë superfuqinë më problematike botërore sot për sot, Federatën ruse, e kanë bërë këtë në gjendjen të cilën në ndodhemi. Dhe së fundmi, pikërisht se e kanë humbur kontrollin me strukturat paralele, me grupe kriminale, tash nga nervoza i rrisin aksionet e këtilla terroriste. Me qenë se nuk e posedojnë më veriun e Kosovës, atëherë dëshirojnë të thonë që nuk do të ju lëmë rehat. Kjo tregon se ata kanë humbur mirëpo, ata nuk dëshirojnë që ne të fitojmë, që ne të jetojmë. Edhe kur po them ne, s’po mendoj vetëm shqiptarët, edhe shqiptarët, edhe serbët, edhe boshnjakët, romët, turqit, ashkalinjtë, egjiptianët, sepse edhe në jug të Ibrit edhe në veri të Ibrit janë të gjitha komunitetet. Prandaj, unë besoj që duke pasur parasysh se nuk kemi pasur njerëz të vdekur me 26, me 28 dhe me 29 dhe duke qenë se po i sanojmë këto dëme materiale, kollaj është të flitet sot se çka do të mund të bënim kur do ta dinim se çfarë ka ndodhur, por kjo do të ishte paraprakisht. /Zëri