Kurti u kërkon ndërkombëtarëve që t’i bëhet presion Serbisë për dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet kosovare
Foto: Laura Hasani

Kurti u kërkon ndërkombëtarëve që t’i bëhet presion Serbisë për dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet kosovare

Aktuale December 01, 2024 - 18:46

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe një herë e ka ritheksuar nevojën që krimineli Millan Radoiçiq të dorëzohet në organet e drejtësisë së Kosovës, raporton Zeri.info.

Në një konferencë për media, Kurti theksoi se, e gjithë kjo që po ndodh në Kosovë, është për shkak të Radoiçiqit dhe kësisoj, duke e ditur që për të tashmë ka edhe aktakuzë, kreu i ekzekutivit kërkoi nga ndërkombëtarët që Serbisë t’i bëhet presion më i madh dhe ta dorëzoj Radoiçiqin në organet e drejtësisë kosovare.

“Unë besoj që organet tona të sigurisë dhe të inteligjencës kanë qenë në nivel të detyrës dhe po e ritheksoj, problemi kryesor për bindjen time është fakti që Millan Radoiçiqi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe te ato të Kosovës ku duhet të përballet me drejtësinë me që tashmë e ka një aktakuzë prej 160 faqesh. Ka edhe urdhërarrest ka edhe aktakuzë 160 faqesh. Të gjitha këto sulme që kanë ndodhur, por edhe sulmet në të ardhmen që ata i planifikojnë drastikisht bie gjasa që të realizohen nëse i dorëzohet institucioneve të Kosovës, të Policisë e të drejtësisë, Millan Radoiçiqi. Ky është thelbi i problemit. Edhe ne kërkojmë prej faktorëve ndërkombëtar që të bëhet trysni mbi Beogradin zyrtar që ta dorëzoj kryekriminelin Radoiçiq tek institucionet e Kosovës. Në Kosovë ka sundim të ligjit, gjykatat janë pakrahasimisht më të mira se në Serbi, këtë e thonë edhe raportet ndërkombëtare”, theksoi Kurti, raporton tutje Zeri.info.

Sipas tij, nëse Serbia nuk beson në organet e drejtësisë kosovare, atëherë siç theksoi ai, në Kosovë është EULEX-i i cili monitoron të gjitha rastet në Kosovë.

“Dhe përveç kësaj, ne e kemi edhe EULEX-in. Nëse Serbia ka dyshim që Millan Radoiçiq nuk do të meritonte nga pikëpamja jonë gjykim të drejtë ose nuk do të përfitonte gjykim të drejtë, këtu është EULEX-i që i monitoron të gjitha rastet në Kosovë. Prandaj ai duhet t’i dorëzohet Kosovës, ky është problemi. Por ajo çfarë ka qenë e re, është se ne nuk e kemi imagjinuar që dikush dëshiron që më shumë e gjysmën e Kosovës dëshiron ta lë pa ujë, pa ngrohje, pa telekomunikim e pa energji. Se shkon kaq larg imagjinata kriminale e terroriste, unë nuk besoj që duhet t’i fajësojmë policët tanë”, theksoi Kurti. /Zëri