Kurti: Po të arrihej qëllimi i sulmit terrorist në kandalin e Ibër-Lepencit, pasojat marramendëse
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme, ka thënë se pasojat e sulmit në Varagë në kanalin e Ibër-Lepencit, do të ishin marramendëse po që se siç deklaroi kreu i ekzekutivit, do të arrihej qëllimi i këtij sulmi.
Ai ka thënë se qëllimi kryesor ka qenë që të çrregullohej jetesa e qytetarëve të Kosovës dhe njëkohësisht të rrezikohej jetesa e tyre, pasi që, sipas Kurtit, nëse do të arrihej qëllimi i këtij sulmi, gjysma e popullsisë do të mbeteshin pa ujë, rrymë, ngrohje e telekomunikim, raporton Zeri.info.
“ Përgjatë dy ditëve të fundit kemi ndërmarrë një sërë masash për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës të kryerësit e sulmit terrorist e kriminal në njërën anë dhe për të minimizuar dëmin në infrastrukturë e për të evidentuar dhe evituar çrregullimin e furnizimit me shërbimet bazë për qytetarët e Kosovës në anën tjetër. Pesha e pasojave të këtij sulmi po të arrinte qëllimin e tij do të ishte marramendës. Ky sulm kishte për qëllim që të shkaktonte dëme të pa riparueshme në infrastrukturën kritike të Republikës së Kosovës, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare dhe duke çrregulluar jetën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Po të arrinte qëllimin, ky sulm do të shkaktonte potencialisht për javë të tëra prodhimin e energjisë elektrike nga Termocentrali Kosova B, duke lënë pa energji elektrike mbi gjysmën e popullatës së Kosovës dhe pa ngrohje mbi 130 mijë qytetarë të Prishtinës. Më tej do të kishim ndërprerje të fabrikave të ujit në Shkabaj, Shipol, Baicë dhe mbi 300 mijë qytetarë do të mbesnin pa ujë dhe do të rrezikohej edhe uji i pijshëm për mbi 300 mijë qytetarë në Prishtinë Qëllimi është shumë përtej atij ekonomi, çrregullimi i shëndetit të qytetarëve dhe rrezikimi i sigurisë tonë kombëtare. Qëllim ka qenë që një pjesë e madhe e vendit tonë që në muajin dhjetor të ngelet pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa telekomunikim”, theksoi Kurti. /Zëri