Festat e fundvitit, rreth 15 mijë pajisje dekorative të pasigurta ndalohen nga tregu
Foto: Laura Hasani

Festat e fundvitit, rreth 15 mijë pajisje dekorative të pasigurta ndalohen nga tregu

Aktuale November 30, 2024 - 20:35

Rreth 15 mijë copë pajisje dekorative, janë ndaluar nga futja në treg ose janë larguar nga qarkullimi, gjatë procesit të zhdoganimit në pikat kufitare, si dhe tregun e brendshëm, gjatë dy javëve të fundit.

Kjo pasi ato janë konstatuar si të papërputhshme me kërkesat ligjore dhe standardet përkatëse të sigurisë.

Kështu u bë e ditur në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku thuhet se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka kryer verifikime të ndriçimeve dekorative që përdoren për festat e fundvitit.

“Dritat dekorative elektrike që nuk përmbushin standardet përkatëse mund të paraqesin rrezik serioz për goditje elektrike ose zjarr, duke vënë në rrezik jetën dhe pronën e qytetarëve” thuhet në njoftim.