Edi Rama publikon pamje nga festa e 28 Nëntorit: Xhamadani vija-vija, o është Kosova, është Shqipëria
Këtë 28 Nëntor, në kuadër të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 80-vjetorit të Çlirimit të vendit, Tirana u shndërrua përsëri në qendrën e bashkimit kombëtar, duke mirëpritur për të dytin vit radhazi “Paradën e Shqiptarëve.”
Nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Erion Veliaj, dhe në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët Shqiptare” (Albanian Roots – Nju Jork), kjo ngjarje festive mblodhi kryetarë, nënkryetarë dhe këshilltarë komunalë nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe përfaqësues nga komunat arbëreshe.
Parada u hap me një moment emocionues, ku aktori i njohur Reshat Arbana recitoi poezinë e Gjergj Fishtës, “Shqypnia e lirë.”
Atmosfera festive u pasurua nga prezantimet e trashëgimisë kulturore të pjesëmarrësve, përmes këngëve popullore, instrumenteve tradicionale dhe kostumeve karakteristike nga të gjitha trevat shqiptare.
Ndërkohë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë një video në rrjetet sociale për nder të 28 Nëntorit.
Në videon e postuar në Facebook, shihet një dron që mban flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Rama e shoqëroi videon me vargjet: “Xhamadani vija-vija o është Kosova është Shqipëria.”