Hamza uron Shqipërinë: 28 Nëntori, festë e trefishtë në Kosovë

Hamza uron Shqipërinë: 28 Nëntori, festë e trefishtë në Kosovë

Aktuale November 28, 2024 - 13:18

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka uruar festën e 28 Nëntorit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në urimin e tij, ai përmend Isa Boletinin, i cili ishte nga Mitrovica, e për të cilin Hamza thotë se i dha edhe më shumë kuptim 28 Nëntorit.

Ndër të tjera, Hamza u shpreh se 28 Nëntori është festë e trefishtë për Kosovën.

“Në këtë ditë të rrënjosur në vetëdijen kombëtare e historike të popullit tonë, i kujtojmë Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, kryengritësin e madh shqiptar nga Mitrovica, i cili i jep edhe më shumë kuptim 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. E kujtojmë komandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, që me e nder, heroizëm e sakrificë të pashembullt dhanë jetën e tyre për t’i dhënë jetë lirisë sonë. Daljen e parë publike të UÇK-së, luftën heroike të djemve dhe vajzave tona, ish-krerët e UÇK-së që padrejtësisht po mbahen në Hagë – i kujtojmë dhe nderojmë. Atdhedashuria e tyre, idealizmi i tyre, na frymëzon në rrugën tonë!”, shkroi Hamza në Facebook.

“Nderime për ata që dhanë gjithçka për ta bërë Shqipërinë. Nderime për ata që dhanë gjithçka për ta bërë edhe Kosovën. 28 Nëntori është festë e trefishtë në Kosovë. Gëzuar!”.