Hoti: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës
Procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon të jetë në udhëkryq dhe palët deri tani nuk kanë ofruar asnjë qëndrim të qartë se si mund të dilet nga status-quoja.
Që prej marrëveshjeve të arritura nga Kosova dhe Serbia, në Bruksel e Ohër, mbi hapat që do të çonin drejt normalizimit, e që potencialisht do të përfundonin me njohje të ndërsjellë, nuk është shënuar asnjë përparim.
Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se mbetet një nga pikat e nxehta të debatit.
Në një intervistë nga Nju Jorku për Zërin e Amerikës, Avdullah Hoti, deputet i dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, fajëson qeverinë Kurti për atë që e quajti braktisje të dialogut për njohje, duke bërë siç tha ai, që presioni ndërkombëtar në vend që t'i drejtohej Serbisë, të kthehet nga Kosova.
Ai foli dhe mbi marrëveshjen e arritur në Uashington në shtator të vitit 2020, gjatë administratës së parë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump.
Avdullah Hoti ishte një nga nënshkruesit e saj në cilësinë e kryeministrit të Kosovës.
I pyetur rreth marrëveshjes së Uashingtonit, zoti Hoti tha se nëse ajo do të ishte zbatuar, gjendja ekonomike, sociale edhe politike e Kosovës, sot do të ishte krejt ndryshe.
Ai shtoi se përmirësimi i raporteve ekonomike do të krijonte klimën që do ta bënte më të lehtë arritjen e marrëveshjes përfundimtare, mes Kosovës dhe Serbisë.