LVV-ja akuzon Berndard Nikajn dhe Petrit Selimin e PDK-së se kërkuan të mos hiqen masat e BE-së

LVV-ja akuzon Berndard Nikajn dhe Petrit Selimin e PDK-së se kërkuan të mos hiqen masat e BE-së

Aktuale November 27, 2024 - 22:15

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka akuzuar dy zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), se ata kanë kërkuar që masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të mos hiqen.

Sipas Rrustemit, kjo kërkesë është bërë për arsye të fushatës elektorale, në kohën kur po publikohej Raporti i Progresit për Kosovën.

“Dy zyrtarë të lartë të PDK-së, anëtarë të Kryesisë, kanë kërkuar që të mos hiqen masat për Kosovën, sepse kjo mund t’u shërbejë atyre në fushatë. Kjo është një kërkesë skandaloze,” ka thënë Rrustemi.

Ai ka theksuar se megjithëse kërkesa nuk ndikon direkt në politikën e BE-së, shqetësimi mbetet për faktin që dy politikanë të rëndësishëm janë të gatshëm të kërkojnë diçka të tillë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka konfirmuar se takimi që përfshinte dy zyrtarët e PDK-së dhe dy përfaqësues të Bashkimit Evropian ka ndodhur në fillim të nëntorit.

Ajo ka bërë të ditur emrat e zyrtarëve të PDK-së që kanë kërkuar që të mos hiqen masat ndëshkuese të BE-së për Kosovën.

“Unë i kam emrat e dy zyrtarëve të PDK-së, po ashtu edhe emrat e dy përfaqësuesve të BE-së. E di gjithashtu kohën dhe vendin ku është mbajtur takimi, si dhe për çfarë është folur,” ka thënë Kryeziu-Hyseni.

Megjithatë, ajo ka preferuar të mos përmendë emrat e përfaqësuesve të BE-së.

Kryeziu-Hyseni ka zbuluar se dy zyrtarët e PDK-së të përfshirë në këtë kërkesë janë Bernard Nikaj dhe Petrit Selimi.

“Është e vërtetë që kjo ka ndodhur në fillim të nëntorit në BE- në mes të dy zyrtarëve të PDK-së që janë takuar me dy përfaqësues të BE-së. I kam emrat e dy zyrtarëve të PDK-së njëjte si për dy zyrtarët e BE-së, E di edhe kohën edhe vendin se ku është mbajtur takimi dhe se për çfarë është folur në takim. Unë nuk i kam përmend emrat por këta dy zyrtarë kanë reaguar vetë. Janë zotëri Bernard Nikaj edhe Petrit Selimi”, ka deklaruar Kryeziu – Hyseni. /Dukagjini/