Gjashtë vite me ushtri, sa është Kosova larg NATO-s?
Foto: Laura Hasani

Gjashtë vite me ushtri, sa është Kosova larg NATO-s?

Aktuale November 27, 2024 - 08:50

Edhe një muaj bëhen gjashtë vite prej kur Forcat e Sigurisë së Kosovës, janë shndërruar në Ushtrinë e Kosovës.

Kjo gjë kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2018, kur me 106 vota pro, një abstenim, nga 120 deputetë sa i ka kuvendi, kishte miratuar tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri. Ligjet që u miratuan ishin: Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Formimi i Ushtrisë së Kosovës, atë kohë kishte ngjallur reagime nga Lista Serbe dhe nga krerët e shtetit serb, por megjithatë kjo ishte bërë me miratimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kishin përshëndetur dhe përkrahur këtë vendim të Kuvendit të Kosovës.

Gjashtë vite pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, kjo forcë tashmë ka objektivat e qarta të saja, siç janë anëtarësimi në organizatën më të fuqishme ushtarake në botë dhe të sigurisë së paqes, NATO-s.

Për dikë rrugëtimi në të duket i mundur dhe jo shumë i largët, për dikë tjetër në Kosovë një gjë e tillë duket ende larg.

Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, thotë se, qeveria “Kurti” e ka mbështetur Ushtrinë e Kosovës, jo me fjalë, por me vepra.

“Kemi thënë që jemi për ta mbështetur këtë projekt, por jo me fjalë, sepse Ushtria nënkupton përveç krenarisë e nevojës edhe buxhet sepse pa të i bie që kemi ushtri në letër. Vitet e para kanë qenë vendnumërim që kur ndodhi votimi për forcën e sigurisë sepse nuk ka pasur investime e as rritje të buxhetit. Plani për tranzicionin gjithëpërfshirës 10 vjeçar ka paraparë që çdo vit ti shtohet buxhetit bazë nga 5 milionë euro, por jo nuk ka ndodh me qeveritë e kaluara sepse ka pasur stagnim”, thotë ai për FrontOnline.

Dugolli, potencon se me ardhjen e LVV-së në pushtet ka ndryshuar qasja e pushtetit në raport me ushtrinë.

“Me Qeverinë Hoti ka pas reduktim të buxhetit. Jo që nuk janë nga 5 milionë për buxhetin bazë, por është paraparë që t’i hiqen 7 milionë euro me kornizën afatmesme të shpenzimeve. Me ardhjen në pushtet të VV kjo qasje ka ndërruar përfundimisht, kemi rritje enorme e drastike të buxhetit për FSK qysh në vitin e parë të mandatit qeverisë edhe për kundër asaj që kishim trashëguar një buxhet për 67 milionë euro të paraparë se ishte votuar në mandatit e Hotit, kemi rritë buxhetin për afër 30 milionë euro”, shprehet ai.

Deputeti i LVV-së, potencon se kanë dëshmuar se për FSK-në mendojnë me fjalë dhe vepra duke ia rritur buxhetin.

“Vit pas viti kemi dëshmuar që ne mendojmë që FSK s’ka nevojë për fjalë e mburrje por mbështetje buxhetore. E kemi përshpejtuar planin tranzitorë gjithëpërfshirës, jemi shumë lartë të renditjes së kapacitetit, aftësisë e gatishmërisë e FSK, ky buxhet do të rritët edhe në vazhdimësi”, tha Dugolli.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se kur ai ishte ushtarë, në katundet e tyre kishte më shumë armatim, se sa armatimi që po shfaqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke potencuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është shumë larg.

“Na katundet kemi pas aq armatim sa po qet ai në syret. Shumë larg anëtarësimit në NATO është Kosova”, thotë ai.

Haliti, thekson se pa u plotësuar dhe zbatuar marrëveshjet e Brukselit, s’ka mundësi askush të bisedoj për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Disa çështje që duhet me i plotësuar pa e zbatuar marrëveshjen e Brukselit s’ka mundësi askush të bisedoj zyrtarisht me NATO-n lidhur me anëtarësimin. NATO është organizata politike dhe pas fillimit të zbatimit të marrëveshjeve mund të ketë zhvillime në 5 vendet e BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe mund të fillohet për të biseduar me NATO dhe për të marr statusin fillestar që është procedura që duhet plotësuar për të hyrë në NATO”, thotë ai.

Deputeti i PDK-së, potencon se aktualisht Kosova nuk i plotëson kushtet për këtë anëtarësim.

“Aktualisht nuk e plotësojmë asnjë kusht por vullneti i qytetarëve të Kosovë është më i madh se çdo vend i BE që janë pjesë i NATO, ata nuk bëjnë përjashtim për askënd”, thotë ai.