Istogu hap fushatën “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”
Foto: Facebook

Istogu hap fushatën “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”

Aktuale November 26, 2024 - 13:18

Komuna e Istogut ka nisur fushatën “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, një iniciativë që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të luftojë çdo formë dhune ndaj grave dhe vajzave.

Komuna e Istogut, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve, organizatave dhe qytetarëve për të ndërtuar një shoqëri të sigurt dhe të barabartë.

“Në hapje të kësaj fushate, u theksua rëndësia e përfshirjes së institucioneve, organizatave dhe qytetarëve në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të barabartë për të gjithë”, kanë shkruar ndër të tjera ata.

Pjesëmarrësit bënë thirrje për veprime konkrete, që ndalojnë dhunën dhe promovojnë barazinë gjinore.

Gjithashtu ata kanë bërë të ditur se fushata do të zgjasë deri më 10 dhjetor, duke përfshirë aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese dhe edukative, të cilat synojnë mbështetjen e viktimave dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.